Obama duhet të vizitojë Shqipërinë

Peter Lucas

Peter Lucas

Do që ta marrësh veten? Shko në Shqipëri.

E bëri presidenti George W. Bush. E bëri Bill Clinton dhe po ashtu Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton. Bill Clinton shkoi në vendin ngjitur, Kosovë, e cila është pak a shumë e njëjta gjë.

Këtë duhet të bëjë edhe Barack Obama. Harroje golfin për një javë dhe udhëto drejt Tiranës, kryeqytetit të një vendi që është thjesht i magjepsur me Amerikën.

Nëse Obama është i shqetësuar sadopak për rënien e besueshmërisë si rezultat i skandaleve që kanë vënë poshtë administratën e tij skandaloze-dhe nëse superegoja shumë e kritikuar e tij ka nevojë për një dozë energji- atëherë Shqipëria është vendi ku duhet ta marrë.

Nëse shkon, është e garantuar se jo vetëm që do të ketë një mirëseardhje adhuruese e brohoritëse, por shqiptarët do t’i kushtojnë një përmendore, ashtu siç bënë me George Bush dhe Bill Clinton.

Jo vetëm kaq: Shqipëria së fundmi i ngriti një përmendore Woodrow Wilson-it, president në periudhën 1913-1921, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Wilson, i cili rri, kapelen cilindrike që ç’ke me të, në mes të sheshit “Woodrow Wilson” në qendër të Tiranës, u nderua vonë nga shqiptarët për rolin në mbrojtjen e kufijve shqiptarë pas Luftë së Parë Botërore, kur fqinjët kërkonin ta ndanin Shqipërinë. Më mirë vonë se kurrë.

Megjithëse Wilson nuk e vizitoi kurrë Shqipërinë, Presidenti George Bush, e bëri. Gremisur në sondazhet e opinionit publik në vitin 2007, Bush udhëtoi në Europë në kërkim të fytyrave miqësore. Por hasi në mijëra demonstrues antiluftë, vend pas vendi, i sulmuar për luftën e tij në Irak.

Por kur mbërriti në Shqipëri, ai mori një pritje prej heroi dhe iu dha medalja më e lartë e vendit. Njerëzit sa nuk ia morën frymën dhe rruga përballë Parlamentit u pagëzua për nder të tij. Më në fund, përballë turmash të ngrohta e miqësore Bush-i iu gëzua çdo minute të vizitës së tij teksa u derdh në mes brohoritjeve dhe flamujve amerikanë për të shtrënguar duart, firmosur autografe dhe pozuar.

Katër vjet pas vizitës së tij në qytetin e vogël shqiptar të Fushë-Krujës, atje u ngrit një përmendore 2.8 metërshe e ish-presidentit me këmishë me mëngë të shkurtra, duke përshëndetur me dorën e majtë. Përmendorja ngrihet në një shesh që mban emrin e tij.

Ishte këtu, në një moment historik, që Bush-i humbi orën Timex. Një moment e pati në kyç teksa zgjatej drejt turmës për të shtrënguar duar, dhe tjetrin nuk qe më. Koha dhe Timex-i ngrinë që të dyja. A i ra nga dora? Apo ia morën? A mos e futi në xhep? Mbetet një mister i pandriçuar dhe përmendorja e Bush-it, besnike ndaj momentit, nuk ka orë në dorë.

Si të ishte një garë, ka edhe një përmendore të Presidentit Bill Clinton në Kosovën fqinje të populluar me shqiptarë. Përmendorja nderon Clinton-in për fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që çoi në pavarësinë e Kosovës nga ç’kish mbetur nga Jugosllavia.

Ashtu si Bush-i para tij, Clinton u përmbyt nga shqiptarët me flamuj amerikanë në duar dhe thirrjet “USA!, USA!” kur vizitoi Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, me rastin e përurimit të përmendores së tij.

Në fakt, shqiptarët, që ‘u fikën’ për të, ndoshta do t’i kishin ngritur një përmendore edhe për Hillary-n, nëse ajo do të kishte qëndruar në Shqipëri për më shumë se disa orë kur ajo e vizitoi në nëntor 2012. Asaj iu desh të mjaftohej me një bar të pagëzuar me emrin e saj.

Ajo që dua të them është se Obama-s do t’i rezervohej i njëjti lloj pritjeje brohoritëse, moral-ngritëse, proamerikane si të gjithë liderëve amerikanë, nëse ai do të vizitonte Tiranën.

Shqiptarët nuk dinë dhe as duan t’ia dinë dhe aq rreth qëndrimit vazhdimisht të ndryshueshëm për incidentin e Bengazit të administratës Obama, apo shënjestrimit nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme ndaj grupeve konservatore, apo ngacmimet ndaj medias. Ata e duan aq shumë Amerikën, sa edhe Richard Nixon do të kishte marrë një seri duartrokitjesh të ngrohta nëse do kishte shkuar për vizitë. Por, gabimisht Nixon vizitoi Rumaninë.

Amerika, për shqiptarët, është gjithçka; një demokraci e lirë, guximtare, e hapur dhe e pasur duhet të jetë, pavarësisht gjithë të metave.

Obama duhet të vijë vetë e të shohë. Madje do t’i ngrenë edhe një përmendore. Vetëm se në rastin e tij nevojiten tri përmendore, të gjitha 4 metra të larta. Dy do të jenë të Obama-s që shtrëngon duart me veten, ndërsa e treta, që sheh këtë gjest dhe duartroket.