OBSH kërkon “veprim të menjëhershëm” pas vdekjeve së fëmijëve nga shurupi i kollës

Gjenevë, 24 janar 2023 – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për “veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar” për t’i mbrojtur fëmijët nga ilaçet e kontaminuara, pas një morie vdekjesh të fëmijëve që ndodhën vitin e kaluar, të lidhura me shurupet e kollës.

Në vitin 2022, më shumë se 300 fëmijë, kryesisht të moshës nën 5 vjeç, vdiqën nga dëmtimi akut i veshkave në Gambi, Indonezi dhe Uzbekistan.

Këto vdekje dyshohet se u shkaktuan nga ilaçe të kontaminuara, tha OBSH-ja në një deklaratë më 24 janar.

Shurupet e kollës, pa recetë, kishin nivele të larta të dietilenit glikolit dhe etilenit glikolit.

“Këta ndotës janë kimikate toksike që përdoren si tretës industrialë dhe mund të jenë fatale edhe nëse merren në sasi të vogla. Ato nuk duhet të gjenden kurrë në ilaçe”, tha OBSH-ja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se shtatë vende kishin raportuar se kishin gjetur shurupe të kontaminuara në katër muajt e fundit dhe u bëri thirrje 194 shteteve anëtare në këtë organizatë që të veprojnë menjëherë për të parandaluar më shumë vdekje.

“Meqenëse këto nuk janë incidente të izoluara, OBSH-ja u bën thirrje palëve të përfshira në zinxhirin e furnizimit mjekësor, të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara”, tha OBSH.

(REL)