Odalloviq: SHBA dhe BE të heshtin! Masakra e Reçakut ishte “storie” e Uokerit

Beograd, 12 dhjetor 2021 – Kryetari i Komisionit për personat e zhdukur në Serbi, Velko Odalloviq, e ka mohuar edhe një herë masakrën e forcave serbe ndaj popullsisë civile në fshatin Reçak të shtimes, në janar të vitit 1999.

Odalloviq ka kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, se masakra e Reçakut ka qenë “një  gënjeshtër e madhe”. Ai ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja e kanë përdorur këtë masakër si shkas për bombardimin e Serbisë, por tani nuk kanë përse e mbrojnë atë. 

“Evropa e SHBA-ja po e mbrojnë Reçakun sepse e përdorën atë për bombardim dhe nëse kjo u shembet, atëherë duhet të shpjegojnë përse e kanë bombarduar një shtet sovran dhe e kanë krijuar një precedent. Unë i kuptoj shqiptarët, pasi ata nga kjo e bëjnë historinë e tyre, por pse e bëjnë këtë këta tjerët që e dinë shumë më mirë se shqiptarët, madje edhe më mirë se ne, se çfarë bërtet ka ndodhur atje. A mendon dikush se ky veprim nuk është vërejtur nga shërbimet e huaja?”, ka thënë Odalloviq.

Ai ka thënë se askujt nuk po i lejohet të thotë ndryshe lidhur me Reçakun.

“U pa se çfarë ndodhi me Todosijeviqin, që u dënua me dy vjet vetëm sepse e tha këtë. Kjo do të thotë se të gjithë ne që e kundërshtojmë deklaratën e Uokerit që ishte e inskenuar do të kemi probleme me Evropën, me Amerikën dhe me shqiptarët. Nuk mund të heshtim. Ka disa prej nesh që e dinë se çfarë ka ndodhur dhe do të vazhdojmë ta dëshmojmë këtë”, ka shtuar Odalloviq.

Sipas tij, masakra e Reçakut ishte përfshirë në aktakuzën ndaj Slobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, por ajo ishte tërhequr më pas.

“Në aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviqit dhe lidershipit shtetëror kishte një pikë të aktakuzës për Reçakun, por ajo u hoq pas procesit gjyqësor dhe dëshmive. Mendoj se Danica Marinkoviq (ish-gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të instaluar e kontrolluar nga Beogradi, në vitin1999) ka qenë ajo që ka dhënë shumë argumente për demaskimin e stories së Uokerit dhe të mashtrimit. Tash vijmë në situatë që ne, Vulinit dhe cilitdo prej nesh që flasim se çfarë ka ndodhur atje, na ndalohet të flasim për këtë. Askund, përveç asaj tentativës në Tribunalin e Hagës, nuk ka asnjë procedurë tjetër dhe askush nuk e ka nxjerrë asnjë dëshmi, me përjashtim të deklaratës së Uokerit se atje ka ndodhur masakër ndaj civilëve. Uokeri nuk ka kredibilitet të flasë për këtë”, ka thënë Odalloviq.

(r.m.)

Comment

*