Oj Shqipni, oj nana e turistëve t’huaj!

Nga Bajram Lani, redaktor në radion “Kosova”, RTK

Një rrugë e gjatë nga Prishtina deri në Ksamil. Por, e këndshme, kur e di se po shkon për pushime. Sidomos në një vend si Ksamili. Në një vend si Shqipëria, me të cilin, përkundër disa dallimeve të vogla, kemi shumë të përbashkëta. Mbi të gjitha kombin e gjuhën.

Shumë makina rrugës. Më së paku me targa të Kosovës. Më së shumti me targa të Serbisë, por edhe të Bosnjës, Maqedonisë, Polonisë, Çekisë… Të gjithë paguajmë nga 5 euro në “Rrugën e Kombit”.

“Hello”, “How are you?”, “Do you need help?”, e të tjera shprehje hyrëse të gjuhës angleze, janë fjalët e para me të cilat na presin vëllezërit shqiptarë kudo që hyjmë, qoftë te hoteli, qoftë në kafe, restorant, parking, apo në autolarje që ata i thonë lavazh. “Fajv handrid juros” na tha edhe ai plaku te parkingu në Dhërmi kur i fërkova gishtin e madh me gishtin tregues si pyetje për çmimin e parkingut, “go ahead” më tha po ashtu një burrë me mustaqe në restorantin në Krujë kur e pyeta për toaletin, pa dëgjuar mirë në çfarë gjuhe po i flas. Në anglisht na u drejtua edhe i moshuari afër Parkut Nacional të Butrintit, i cili na pyeti nëse duam të lundrojmë me varkë deri te kalaja e Ali Pashë Tepelenës.

E kishin mësuar anglishten të gjithë të moshuarit, ose të paktën përpiqeshin. Se për të rinjtë mos të flasim. Edhe mirë që flisnin anglisht. Shumë mirë që kishte turistë të huaj. I kuptoj madje edhe që na flisnin fillimisht të gjithëve në gjuhën angleze. E kuptoj edhe atë në Butrint, edhe atë tjetrin në Dhërmi, edhe atë tjetrin në Krujë, e secilin, kudoqoftë që flet anglisht. Por, s’e kuptoj edhe sjelljen me standarde të dyfishta ndaj pushuesve nga Kosova në raport me pushuesit e huaj. Siç nuk e kuptoj, për shembull, atë zonjën në Gjirokastër, e cila me sa dukej, ishte menaxhere e lokalit jo shumë larg kalasë. Sapo na pa që e ndalëm makinën afër lokalit, na buzëqeshi e na e bëri me dorë. Por, kur e hapa xhamin dhe e pyeta shqip, “a mund ta parkoj makinën këtu?”, vrenjti vetullat dhe ma priti shkurt: “Ta fusin gjobë”. Madje e përsëriti disa herë këtë, duke bërë me dorë që të ecim. Ne qeshëm me atë refren që e përsëriti disa herë “ta fusin gjobë, ta fusin gjobë…”, por nuk qeshëm kur u kthyem meqenëse nuk gjetëm parking, dhe pikërisht në atë vend ku neve “do na fusnin gjobë”, ishte parkuar një makinë me targa të huaja. Edhe më poshtë një burrë, pa na shikuar fare, përsëriti refrenin e njëjtë si të zonjës “ta fusin gjobën, ta fusin gjobën”.

Duke qenë se kishim me vete edhe fëmijë një vjeç dhe nuk gjenim askund parking ku “s’na fusnin gjobë”, ikëm dhe “ia futëm Gjirokastrës”. Nuk u ndalëm madje as te shtëpia e Kadaresë, ndonëse kaluam përskaj saj. Nuk e kërkuam as shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha, ndonëse në nerva e sipër, e kërkoja Shqipërinë e tij. Kjo ishte vetëm kërkesë nën efektin e nervave, ngase Shqipëria e sotme është shumë më e mirë dhe shumë më atraktive se në kohën e Enver Hoxhës. Madje, sivjet ishte bërë atraktive edhe për serbët, të cilët e kishin “pushtuar” Ksamilin. Hoteli ishte përplotë me serbë. Në rrugë çdo të dytin e dëgjoje duke folur serbisht, por edhe maqedonisht, polonisht dhe gjuhë tjera. Por, sidomos serbisht. Madje, dy të moshuar sapo hynë në ashensorin e hotelit na përshëndetën me kokë dhe thanë diçka me gojë mbyllur. Kur ua ktheva përshëndetjen me zë të lartë, u gëzuan. “Uh, a shqiptarë jeni a? S’guxojshim me folë se s’dishim çka jeni”, tha zonja, e cila kishte qenë mësuese në Prishtinë, e ishte pensionuar muaj më parë. “Ish mbushë Ksamili serbë”, tha i shoqi, si për ta arsyetuar hezitimit për të përshëndetur me zë. “Edhe sa shumë po iu rrinë gati atyne. Ma shumë se neve”, shtoi tutje. Në fakt as unë s’isha i sigurt që janë shqiptarë, por se kisha problem t’u flas së pari shqip të gjithëve, çfarëdo nacionaliteti qofshin. Ky çift të moshuarish, ishin ndër të paktët shqiptarë në hotel. Kjo kishte bërë që hoteli të kishte një tjetër nivel shërbimi. Siç kishte një nivel tjetër edhe sjellja dhe mikpritja në plazh. Sidomos në plazhet më “ekskluzive”, siç është Plazhi i Pasqyrave apo ai te Pema e Thatë, ku rreth 80 për qind ishin turistë serbë. Në këtë konstatim erdha nga targat e makinave që ishin kryesisht nga Beogradi, nga Kragujevci apo nga qytete të tjera të Serbisë, por edhe nga serbishtja që e dëgjoje nga të gjitha anët. Dhe mirë që kishte shumë të huaj, qofshin edhe serbë, përkundër të kaluarës sonë të hidhur me ta. I kuptoj edhe shqiptarët atje që kishin një shërbim më të veçantë ndaj turistëve serbë, sepse duan t’i bëjnë për vete edhe turistët serbë, tash kur infrastruktura rrugore është rregulluar tashmë dhe pa problem shkon në cilën pjesë të Shqipërisë që dëshiron. Por, nuk e kuptoj inferioritetin aq të madh të tyre ndaj serbëve. Deri në nivelin sa edhe muzikën t’ua përshtasin atyre. “Vrlo dobro muzika”, e dëgjova njërin prej turistëve serbë që ishte ngritur në këmbë dhe “dridhej” ngapak. Derisa dëgjohej Dua Lipa e shumë çmimeve Grammy dhe çmimeve të tjera, nuk e dëgjova të thoshte një gjë të tillë, por u ngrit kur u lëshua kënga serbe tërësisht mediokre dhe pa shije.

Vajzës sime shtatëvjeçare nuk i pëlqeu që u ndërrua muzika, ngase po kënaqej me muzikën e Duas. Sa herë shkojmë në Shqipëri, ajo thotë “tash duhet të flasim shqipnisht”. Kështu i thotë Bora dialektit të jugut, por edhe në përgjithësi theksit të së folurës së shqiptarëve të Shqipërisë. Sivjet, duke dëgjuar gjuhë të huaja, veçmas serbisht, më tha: “A sivjet s’po folka shqipnisht kërkush a?”. Flasin flasin, i thash, veç sa t’kalon sezoni i pushimeve.

Bajram Lani, redaktor në radion “Kosova”, RTK

Pamje nga Ksamili (Genti Shkullaku/LSA)