Olaf Scholz do të presë Kurtin dhe Vuçiqin, javën e ardhshme

Berlin, 29 prill 2022 – Kancelari gjerman Olaf Scholz do të presë në takime kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 maj, ka njoftuar Zyra e Shtypit dhe Informacionit e Qeverisë Federale gjermane.

Kjo zyrë ka paralajmëruar se kancelari Olaf Scholz, “do të mirëpresë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Kancelarinë Federale”, në orën 15:00 të datës 4 maj.

“Fokusi i diskutimit të përbashkët do të jetë koordinimi i mëtejshëm mbi luftën dhe agresioni rus kundër Ukrainës, si dhe për çështjet dypalëshe dhe rajonale”, thuhet në njoftimin e kësaj zyreje.

Në një takim tjetër të ndarë kancelari gjerman Scholz do ta pres edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021, në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ndodhi më 7 korrik 2021. Që atëherë nuk ka pasur takime të tjera të nivelit të lartë midis Kosovës e Serbisë.

(REL)