ONUFRI, një nga shtëpitë botuese më prestigjioze në Shqipëri

9 - kadareNga Iva Gjoni

Pas rënies së bustit të Enver Hoxhës në sheshin kryesor në Tiranë, duke rishikuar bibliotekën personale të gjyshit tim, Henrik Lacaj, kisha gjetur disa dorëshkrime, të cilat, e dija, ishin me vlerë. E dija që ai përkthente kryevepra të klasikëve grekë e latinë dhe vazhdimisht më thoshte se nuk do të botoheshin, se nuk ia botonin. Më ishin rrënjosur në mendje fjalët e tij dhe kur, rreth vitit 1995, Shqipëria ishte shndërruar në vend demokratik që në 1990-ën, me një fletore (nga ato që shiteshin dikur dhe kushtonin 16 lekë të vjetra) në duar u nisa për te shtëpia botuese Onufri, zyra e së cilës në atë kohë, me sa mbaj mend, ishte pranë Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë. Kisha biseduar edhe me disa shtëpi të tjera botuese por nuk më kishin pëlqyer. Në fakt, herën e fundit kisha marrë me vete Edipin Mbret (të përkthyer nga greqishtja e vjetër, madje kisha fletoren origjinale në duar) dhe dy botues, emrat e të cilëve nuk dua t’i përmend, luanin shah pa e çarë kokën që unë prisja në korridor për të biseduar me ‘to.
Këtë herë mora me vete Metamorfozat e Ovidit sepse ishin kaq të magjishme ato vargje e i kisha lexuar e rilexuar kur gjyshi im i përkthente. Në atë kohë, unë isha i vetmi lexues e sa herë i lexoja e pyesja “Po pse, pse nuk i botojnë? Këto janë kaq të bukura!” nuk më thoshte pse, vetëm e fuste fletoren në sirtar. Pra, me Metamorfozat me vete, duke shpresuar vërtet për një metamorfozë, trokas në zyrën e Onufrit. Bujar Hudhri s’kishte arritur akoma në zyrë (vinte nga Elbasani në Tiranë çdo ditë) dhe më thanë ta prisja. Atëherë nuk e dija se do të krijonim marrëdhënie pune të tilla saqë Bujar Hudhri do të botonte pothuajse të gjithë përkthimet e Henrikut me një respekt të veçantë për ‘të si përkthyes dhe për veprën klasike, madje duke e quajtur enrikun “përkthyes idealist” dhe, më vonë, do të bashkëpunonte me David Hosaflook, një tjetër “përkthyes idealist” sipas Bujarit, që do të përkthente Rrethimin e Shkodrës në anglisht bazuar në përkthimin e Henrik Lacajt. Mbaj mend shumë mire se pritja ishte shpresëdhënëse dhe se u morën seriozisht kërkesat e mia, dorëshkrimet, përkthimet. Megjithëse unë u trembesha biznesmenëve shqiptarë të asaj kohe, meqë e dija se në plan të parë kishin parasysh përfitim monetar, biseda me Bujar Hudhrin më riktheu besimin se paska njerëz të mirë që nuk shohin vetëm përfitime monetare por vlerësojnë artin e kulturën e vërtetë dhe me dashamirësi punojnë për përhapjen e tyre.
Në fund të fundit unë isha e panjohur, një njëzet vjeçare që kishte ardhur me një fletore të shkruar me shkrim dore, pa mundësi për ta hedhur atë punë në kompjuter apo, thjeshtë, për ta shtypur me makinë shkrimi. Kisha frikë se po ta dorëzoja dorëshkrimin do të humbiste ose nuk do të ma kthenin më. Kisha frikë se në vend që të publikoja punën e gjyshit tim, do ta humbisja. Isha e frikësuar dhe dëshiroja vetëm të ishte dikush që merrte vesh nga letërsia e të mund t’i njihte e të kuptonte rëndësinë e veprave të tilla. Dhe ashtu ndodhi me Bujar Hudhrin.
Kanë kaluar afërsisht shtatëmbëdhjetë vjet që prej prezantimit tim të parë me Onufrin dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Pas botimeve për herë te parë në shqip të Edipit Mbret (Sofokli), Metamorfozat (Ovid), Aminta (Torquatto Tasso) dhe ribotimit të Rrethimit të Shkodrës (Barleti) dhe The Siege of Shkodra (David Hosaflook) së fundmi, Onufri premton të botojë një kolazh të përkthimeve të Henrik Lacajt.
Shtëpia botuese Onufri e filloi punën në Tiranë rreth vitit 1992 duke botuar që në fillimet e saj vepra të klasikëve shqiptarë. Vazhdoi të botonte vepra të klasikëve italianë dhe anglezë. Ismail Kadare thotë: Onufrin e kam zgjedhur për botuesit tim të tanishëm dhe të ardhshëm, midis botuesve të tjerë shqiptarë. Më është dukur një botues serioz, por më kryesorja, më është dukur se në aksionin e tij të botimit nuk udhëhiqet nga etja për fitime, që për fat të keq është shumë e shpeshtë në jetën e sotme shqiptare dhe të vendeve të Lindjes, por ka dhe njëfarë idealizmi, domethënë në kuptimin shpirtëror të gjërave.”
Disa nga veprat e botuara prej Onufrit janë veprat e Kadaresë si dhe Helena Kadaresë Kohë e pamjaftueshme, veprat e Martin Camajt, vepra të zgjedhura të Shekspirit, përkthime të klasikëve grekë e latinë prej Henrik Lacajt, Albania Ritrovata të Lucia Nadin si dhe, së fundmi, ribotimin prestigjioz të Rrethimit të Shkodrës, të përkthyer në shqip prej Henrik Lacajt dhe përkthimin për herë të parë në anglisht të Barletit prej David Hosaflook, The Siege of Shkodra. Lista e mësipërme flet për karakterin e Bujar Hudhrit, i cili zgjedh vepra të tilla që mbushin një boshllëk në letërsinë shqipe dhe e pasurojnë atë. I nxitur jo prej përfitimeve personale por nga dëshira për të lënë gjurmë në kulturën dhe letërsinë shqiptare, Bujar Hudhri i ka qëndruar besnik qëllimit të tij fisnik duke respektuar emrin e shtëpisë së tij botuese, Onufrin e famshëm.
Shpresoj dhe dëshiroj që Onufri të vazhdojë punën e tij fisnike duke bërë të mundur pasurimin e letërsisë ose, më mirë, duke vazhduar në rrugën e shkrimtarëve tanë të mëdhenj si Kadare, Noli, Koliqi, Camaj, Fishta, Barleti, të cilët kishin si qëllim vetëm përparimin e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqiptare.
Pë më shumë informacion, mund të lexoni për Onufrin te www.Onufri.com ose email [email protected].