Operacion i gjerë antidrogë në zonën e Krujës

Tiranë, 29 maj 2021 – Në Shqipëri, një operacion i gjerë i policisë kundër kultivimit të marijuanës, nisi sot që në orët e para të mëngjesit në zonën e Krujës dhe Fushë Krujës. Në operacion u angazhua një numër i madh forcash, përfshirë dhe njësitë speciale të policisë. Operacioni është ndjekur nga afër nga drejtuesit më të lartë të policisë.

Sipas burimeve zyrtare, sinjalizimi për sipërfaqe të mbjella me cannabis erdhi fillimisht nga vrojtimi ajror me avionë specialë të Guardia di Finanza-s italiane, e cila ka nisur monitorimin që prej mesit të muajit maj.

Gjatë kontrolleve, policia ka gjetur parcela të mbjella me fidanë dhe sera ku kultivohej marihuana, por edhe ambirente të mbyllura ku rritja e cannabis sativas stimulohej me ndriçues të fuqishëm.

Deri pasdite, burime nga policia bënë të ditur se gjatë operacionit janë arrestuar të paktën 10 persona, ndërkohë që operacioni vazhdon edhe më tutje.

Dy vitet e fundit, më 2019 dhe 2020, kultivimi i cannabis sativa-s në Shqipëri ka patur një tendencë në rritje, pas një tkurrjeje të ndjeshme që u regjistrua në vitin 2018, kur u shkatërruan mbi 35 mijë rrënjë, ndërsa sipërfaqja e zbuluar nga vëzhgimi ajror nuk e kalonte 1 hektar.

(Zëri i Amerikës)