Operacioni “Brezovica”: Në llogaritë e të arrestuarve bllokohen afër 5.5 milionë euro

Prishtinë, 6 janar 2022 – Zyrtari policor Agron Haziri njoftoi se gjatë operacionit “Brezovica” të kryer gjatë ditës sësotme në Ferizaj, në Shtërpcë dhe në  Prishtinë, është ngrirë një shumë e madhe e mjeteve financiare që gjendet në gjirollogaritë bankare e të dyshuarve dhe të familjarëve të tyre.

“Në gjirollogaritë e personave të dyshuar kemi identifikuar vlerën monetare prej 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86 mijë e 146 dollarë amerikanë”, tha Haziri.

Ai tha se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe shumë dëshmi e prova për veprimtarinë kriminale të të arrestuarve.

“Gjatë kontrollit të sotëm janë sekuestruar edhe dëshmi dhe prova materiale si në vijim: është sekuestruar një veturë ‘BMË X1’, armë ‘CZE’, armë ‘Zastava’, 136 fishekë, një kuti me armë, një karikator i zbrazët, një shtëpizë kompjuteri, një telefon mobil, USB, pesë video-kaseta, uniformë me mbishkrimin ‘policia’ ish-jugosllave ose serbe, një antiplumb dhe dokumente të ndryshme”, tha ai.

Dy nga shtatë personat që u arrestuan të enjten gjatë operacionit “Brezovica”, dyshohen për marrje të ryshfetit, kurse pesë të tjerët janë të dyshuar për dhënie të ryshfetit.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, tregoi se në  mesin e të arrestuarve janë edhe dy zyrtarë Ministrisë së Mjedisit, të cilët dyshohen për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”.

Ai ka bërë të ditur se tre nga të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

“Me vendim të prokurorit, sot është ndaluar për 48 orë Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjithashtu është ndaluar ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe marrje të ryshfetit. Gjithashtu me vendim të prokurorit është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht një investitor në Brezovicë nën dyshimin se ka kryer veprën penale ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”, ka thënë Jashari.

“Deri me tani janë arrestuar shtatë (7) persona, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, si dhe pesë (5) qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, bëri të ditur se operacioni i sotëm është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 21 dhjetor. Ai paralajmëroi se operacione të tilla do të zhvillohen edhe gjatë ditëve të ardhshme.

“Ky nuk është aksioni i fundit. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, tha prokurori Maloku.

Më 21 dhjetor ishin arrestuar dhjetë persona të dyshuar lidhur mendërtimet në Brezovicë. Në mesin e tyre është edhe Bratislav Nikoliq, ish-kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dhjetë të arrestuarve më 21 dhjetor. Ata dyshohen për vepra penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “marrje dhe dhënies e ryshfetit” lidhur me lëshimin e lejevde të ndërtimit në Brezovicë.

Brezovica është pjesë e Parkut Nacional të Sharrit. Lejet ndërtimore në këtë zonë lëshohen në bazë të kritereve të ashpra për mbrojtjen e natyrës. Por, vitet e fundit, atje janë ndërtuar shumë shtëpi pushimi e ndërtesa të tjera. Dyshohet se shumë prej tyre janë ndërtuar me leje të lëshuara në mënyrë të kundërligjshme.

(r.m.)