Opozita e akuzon Kurtin për dëmtim të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-të

Prishtinë, 30 maj 2023 – Tri partitë opozitare në Kosovë e kritikojnë qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për dëmtimin e raporteve të Kosovës me shtetet mike, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), që konsiderohet mbështetësi më i madh, aleati më i besnik dhe partneri strategjik i Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një deklarate për publikun, e akuzon kryeministrin Kurti se po i rrezikon marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të. Ajo i ka bërë thirrje Kurtit që urgjentisht të ndryshojë qasjen dhe qëndrimin e tij

“Partia Demokratike e Kosovës është e shqetësuar me zhvillimet e fundit që e kanë sjellë Kosovën në përballje të rrezikshme me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të rimendojë dhe të ndryshojë urgjentisht qasjen e saj”, thuhet në deklaratë.

“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë të vendit tonë, që tashmë kanë filluar të rezultojnë me ndëshkime të drejtpërdrejta, pasi Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe ndërkombëtare e NATO-s në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023”. Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”, thuhet më tutje në deklaratën e PDK-së.

Kjo parti i bën thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që urgjentisht të mbledhin Këshillin e Sigurisë së Kosovës për të shqyrtuar situatën e sigurisë në Kosovë.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka akuzuar kryeministrin Kurti se, me veprimet e tij, ka shkaktuar përplasje me aleatët më të mëdhenj të Kosovës dhe, kështu, ka rënë në grackën e Serbisë, e cila ka qëllim destabilizimiin  Kosovës.

“Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politikë në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj. Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë”, thuhet në një deklaratë të LDK-së lidhur me gjarjet e ditëve të fundit në veri të vendit.

“LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë’, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani se për më pak se tre vjet që kanë ardhur në pushtet “e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet prapa”.

“Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë”, ka thënë Haradinaj.

“Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj”, është shprehur ai.

Haradinaj ka theksuar se Kurti mund t’ia bëjë njëtë mirë Kosovës, nëse jep dorëheqje.

“Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, ka thënë ai në mbyllje të deklaratës.

Deklaratat e partive opozitare erdhën pas njoftimit për  anulimin e aktiviteteve në Kosovës të sytërvitjes së NATO-s “Defender Europe 2023” dhe deklaratës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se veprimet e fundit të Qeverisë së Kurtit i dëmtuan marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

(r.m.)