Opozita e majtë kryeson rezultatin e zgjedhjeve, numërim i qetë i votave

Rezultatet, sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani shihen si prirje vote, pasi nuk janë numëruar mesatarisht më shumë se 10-20 për qind e kutive të votimit në shkallë vendi

 

Denion Ndrenika

Numërimi i votave të zgjedhjeve të së dielës së 23 qershorit në Shqipëri po shkon mirë, pa asnjë incident, tension apo zvarritje. Opozita “Aleanca për Shqipërinë Europiane” i kryesuar nga Partia Socialiste, është në epërsi 57,84 për qind, përgjithësisht mbi mesataren kundrejt Partisë Demokratike që udhëheq “Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” që ka 40,44 për qind të votave. Rezultatet, sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani shihen si prirje vote, pasi nuk janë numëruar mesatarisht më shumë se 10-20 për qind e kutive të votimit në shkallë vendi.
Befasisht opozita udhëheq edhe në Shkodër, ndërsa PD me aleatët janë përpara vetëm në dy qarqe, Kukës dhe Durrës. Në shumë zona fitorja e opozitës duket e thellë, sikurse në Fier, Berat dhe në Vlorë ku kryesimi është deri në 10 mijë vota. Gjithashtu në Lezhë, Korçë, Elbasan ka epërsi të thellë që shkon 5-7 mijë vota.
Befasi tjetër është numri shumë i madh i votave në Elbasan, i kandidatëve të Partisë Republikane dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe në Durrës, po i Partisë Republikane.
Në orën 11, zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilon Hoxhaj tha se ecuria e numërimit është e mirë, ndërsa raportoi disa problematika që hasen me ndonjë ndalesë për shkak të lodhjes apo pushimi të numëruesve. Mundet që me këtë ritëm, rezultatet të mos vonojnë të dalin. Ndërkohë, shefi i Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan dhe ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sekui përfunduan një takim me kryeministrin Sali Berisha dhe rreth orës 11 vazhdonin takimin e mëpasëm me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Nuk ka ende ndonjë detaj nga bisedimet e zyrtarëve Kukan dhe Sekui me kryeministrin Berisha dhe zotin Rama.

Comment

*