Opozita e mbështet Qeverinë, e kundërshton referendumin e Serbisë në Kosovë

Prishtinë, 14 janar 2022 – Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës, ka thënë kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi në përgjigje për Kohën.

Krasniqi ka thënë se Qeveria duhet të bashkërendojë veprime me ndërkombëtarët për të ofruar zgjidhje të përshtatshme.

“Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër, në territorin e Kosovës. Abdixhiku përmes një statusi në Facebook ka thënë se presin mbështetjen dhe respektimin e normave që parasheh Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e po ashtu praktikat ndërkombëtare.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, ka shkruar Abdixhiku.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë këtë të diele, duke thënë se përpjekja e Serbisë në këtë drejtim është sulm mbi integritetin kushtetues të shtetit.

“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Reagimi i tyre vjen vetëm pak pasi vendet e QUINT-it kanë kërkuar të premten nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të zhvillohet referendumi i Serbisë në Kosovë, për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese të këtij shteti.

Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët që kanë shtetësi  të dyfishtë mund të votojnë përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*