Opozita e përçarë shqiptare, komoditet për pushtetin

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, edhe një kohë të gjatë, nuk do të kenë një opozitë të mirëfilltë, unike dhe korrigjuese të punës së Qeverisë, thotë për Radion Evropa e Lirë Xhelal Neziri, njohës i zhvillimeve politike.

Pas zgjedhjeve lokale të 31 tetorit, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e prishën koalicionin, të cilin e kishin arritur para zgjedhjeve parlamentare, në vitin 2020.

Pas zgjedhjeve lokale, partia Alternativa vendosi të bëhet pjesë e Qeverisë, edhe pse e njëjta, në muajin nëntor, ishte nënshkruese e mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë, që ishte iniciuar nga partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE.

Duke komentuar përçarjen e opozitës shqiptare, pas zgjedhjeve lokale më 31 tetor, analisti Neziri thotë se partitë shqiptare në opozitë nuk kanë koncept të qartë të veprimit politik, por, mbi të gjitha, shton ai, nuk janë të sinqerta mes vete.

Sipas tij, pas çdo cikli zgjedhor, koalicionet mes tyre janë prishur për interesa personale.

“Kur këto koalicione ngrihen duke marrë parasysh vetëm interesat e përbashkëta të momentit, atëherë natyrisht se zgjedhjet, rezultatet, periudhat pas-zgjedhore sjellin momente që imponojnë interesa të ndryshme brenda koalicionit dhe këto janë faktori kyç që i prish këto koalicione”, thotë Neziri.

Veprimet e tilla u krijojnë komoditet partive në pushtet, që të jenë të kursyera nga kritikat për punën e tyre, shton ai.

Përçarjet në opozitën shqiptare nisën që pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, kur pjesë e koalicionit opozitar ishte edhe partia Rilindja Demokratike Kombëtare, e cila vendosi të mbetet pjesë e Qeverisë pas largimit nga Qeveria në vitin 2017 të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa.

Përçarjet vazhduan në zgjedhjet lokale në vitin 2017 dhe pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2020, mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, nga e cila më pas doli partia Alternativa.

Kjo parti dhe Lëvizja Besa, gjatë katër vjetëve të fundit, kanë ndërruar pozicionet në disa raste, duke qenë në koalicion parazgjedhor me Aleancën dhe pas zgjedhjeve janë bërë pjesë e Qeverisë.

“Aleanca për Shqiptarët duhet të futet në një proces të konsolidimit, të pranimit të rezultatit dhe të politikave të gabuara kundrejt partive të caktuara politike dhe, pasi të bëhen këto veprime dhe të merren vendimet, të mbahet një kongres, i cili do të legjitimojë një strukturë, e cila më pas do të thotë se kjo parti do të ngjitet në pushtet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arsim Sinani, njohës i zhvillimeve politike.

Sipas Nezirit, që nga viti 2016, partitë opozitare shqiptare janë marrë më shumë me vetveten, sesa me partitë në pushtet. Sipas tij, mes këtyre partive ka pasur akuza të rënda, si për çështjen e financimit, ashtu edhe për atë se cila prej tyre punon për pushtetin.

“Është mirë që Aleanca për Shqiptarët të mësojë nga gabimet e së kaluarës, kur koalicionet i ka ndërtuar ekskluzivisht mbi interesat e partive më të vogla dhe më pas interesat e tyre kanë qenë shkak për prishjen e koalicioneve. Një opozitë e mirëfilltë, në fakt, është parakusht kryesor për kualitetin e demokracisë. Një demokraci nuk mund të jetë kualitative nëse nuk ka një opozitë të fuqishme”, thotë Neziri.

Me veprime të tilla të ndërrimit të pozicioneve, madje brenda disa javëve, siç është rasti me Alternativën, apo më parë me Lëvizjen Besa, partitë, sipas Nezirit, dëshmojnë se u mungon edhe aspekti etik dhe përgjegjësia ndaj votuesve, para të cilëve janë paraqitur me programe e oferta të ndryshme.

“Me hyrje-daljet nga Qeveria, pa një platformë të qartë të veprimit politik, dhe me synimin e vetëm që të jenë pjesë e pushtetit”, analisti Arsim Sinani thotë se “partitë zhgënjejnë gjithnjë e më shumë elektoratin shqiptar, i cili në zgjedhje po del në përqindje gjithnjë e më të ulët”.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, deri në vitin 2008, pjesëmarrja e shqiptarëve në votime ka qenë e lartë, madje në disa cikle ajo ka shkuar edhe në mbi 60 për qind.

Në katër ciklet e fundit zgjedhore, dalja e shqiptarëve në votime ka qenë midis 30 dhe 40 për qind. (Radio Europa e Lirë)

Comment

*