Opozita e quan shantazh nismën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet

Prishtinë, 2 prill 2021 – Partitë opozitare në Kosovë – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – e kanë kundërshtuar nisëm e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për ndryshimin me procedurë të përshpejtuar të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Këto parti kanë vlerësuar si të ngutshëm veprimin e Lëvizjes Vetëvendosje Që këtë nismë ligjore ta bëjë para zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

LDK-ja, e cila ka thënë se do të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit, e ka cilësuar këtë nismë  si “shantazh” për opozitën.

“LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa një diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Shefi i grupit parlamentare të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij nuk pajtohet që kjo çështje të trajtohet me urgjencë dhe pa pjesëmarrjen e të gjitha subjekteve politike, të ilntitucioneve të pavarura dhe të shoqërisë civile.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se procedimi i këtij ligji me nguti bëhet vetëm në sisteme totalitare.

“Vetëm në sisteme totalitare, në sisteme ku ka deficite serioze të demokracisë, nxirret për amendamentin dhe ndryshim një ligj i cili rregullon të drejtën themelore për të qenë të zgjedhur dhe për të zgjedhur”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje thotë se ndryshimi i këtij ligji buron nga nevoja për shmangien e problemeve të shumta që janë hasur gjatë zgjedhjeve të deritashme.

Ndër ndryshimet e propozuara të këtij ligji është edhe krijimi i mundësisë që votuesit jashtë Kosovës te votojnë edhe në ambasadat dhe zyrat konzullore të Kosovës jashtë vendit.

(r.m.)

Comment

*