Opozita maqedonase e akuzon Zaevin për “bisedime sekrete” me Bullgarinë

Opozita maqedonase e akuzon Zaevin për “bisedime sekrete” me Bullgarinë

Shkup, 8 qershor 2021 – Opozita maqedonase ka nisur protestat në Shkup dhe dhjetë qytete tjera kundër bisedimeve me Bullgarinë, konkretisht për të kundërshtuar, siç thotë, “tradhtinë e radhës të (kryeministrit) Zoran Zaevit”.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE pretendon se qeveria aktuale po negocion me Bulgarinë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin kombëtare dhe gjuhën maqedonase.

“Në negociatat me palën bullgare, Zoran Zaev dhe (i dërguar i qeverisë maqedonase për bisedimet me Bullgarinë) Vllado Buçkovski fshehurazi po përgatisin një aneks, garanci të shkruara ose një “udhërrëfyes”, me të cilin ata pranojnë pikëpamjet përfundimtare negative, që do t’i hapin dyert asimilimit të plotë të maqedonasve”, thotë kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski.

“Nga burime të larta diplomatike në Bruksel, por edhe në Sofje, marrim vesh se kërkesat që janë pjesë përbërëse e deklaratës së miratuar në Parlamentin bullgar, praktikisht do të jenë pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë (së Veriut) me BE-në, dhe nga ky moment, problemi dypalësh që kemi me Bullgarinë do të jetë problem që do të kemi me BE-në, do të thotë, nga problem dypalësh do të bëhet problem evropian. Bëhet fjalë për çështjet që kanë të bëjnë me veçoritë e popullit maqedonas, kulturën, traditën, gjuhën maqedonase, luftën antifashiste. Pra, të gjitha këto që i mohon deklarata e miratuar në parlamentin bullgar”, shton Mickoski.

“Kjo tradhti e radhës e Zaevit mund të parandalohet vetëm përmes kritikave dhe ndërgjegjësimit të popullatës me protesta në rrugë”, thekson ai.

Mickovski thorë  se protestat nuk do të ndalen derisa qeveria nuk del para opinionit të tregojë dokumentin dhe atë për çfarë po negocion me Sofjen.

“Ne i kemi dy zgjidhje: ose të pranojmë asimilimin dhe të hyjmë në BE si bullgarë ose të ndërpresim procesin e anëtarësimit dhe ëndrrën evropiane për të ruajtur identitetin dhe gjuhën maqedonase”, thekson lideri i opozitës maqedonase.

Partia e Kryeministrit Zoran Zaev, LSDM, e ka akuzuar liderin e VMRO-së se po përhap lajme të rreme.

“Bllokadat e VMRO-së janë veprim anti-shtetëror. Kjo nuk është hera e parë që Mickoski përhap lajme të rreme në lidhje me marrëdhëniet me Bullgarinë”, thuhej në reagimin e LSDM-së.

Ajo i ka hedhur poshtë akuzat se qeveria e Zaevit “po i shet interesat kombëtare”.

“VMRO-DPMNE-në e pengon gjithçka që është në interes të qytetarëve. Qytetarët e njohin VMRO-në dhe kjo është arsyeja përse ata rregullisht e ndëshkojnë në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse VMRO-DPMNE është në opozitë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

(REL)