Opozita në Kosovë: Kurti dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme

Prishtinë, 2 prill 2021 – Tri partitë opozitare shqiptare në Kuvendin e Kosovës kërkojnë tërheqjen nga procedura të projektligjit për ndryshime të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili u procedua nga kryeministri Albin Kurti me procedurë të shpejtuar.

Seanca plenare e Kuvendit në të cilën është paraparë shqyrtimi i parë i këtij projektligji është ftuar për sonte, në orën 21:30.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kundërshtojnë ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme pa konsensus politik dhe pa pjesëmarrjen e institucioneve të pavarura, ekspertëve dhe shoqërisë civile.

Lidhja Demokratike e Kosovës e cilësoi si shantazh ndaj opozitës procedimin e këtij projektligji. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se ky akt i kryeministrit Kurti do të prodhojë krizë të thellë politike dhe institucionale në Kosovë.

“Shantazhi i sotëm lë të kuptohet se Kurti ose nuk dëshiron të zgjidhë ketë çështje ose dëshiron të krijojë destabilitet politik për të fshehur paaftësinë e tij për t’u përballur me probleme të mëdha të cilat ka premtuar se do t’i zgjidhë dhe për të cilat e kanë votuar qytetarët”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se nëse kryeministri Kurti nuk heq dorë nga ndryshimet e këtij ligji, atëherë do të dëshmohet se ai ka qëllim ta çojë vendin në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme.

Kryetari i LDK-së paralajmëroi se, në rast se Kurti nuk e tërheq nga procedura këtë projektligj, atëherë do të vihet në pikëpyetje pjesëmarrja e cdeputetëve të kësaj partie në seancën e Kuvendit të Kosovës kur të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e cilësoi si “dramë të turpit” mënyrën e procedimit të projektligjit për ndryshime të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në një konferencë për media, ai theksoi se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk mund të jenë iniciativë e vetëm një partie dhe se reforma zgjedhore nuk mund të bëhet pa mbështetjen e institucioneve relevante ndërkombëtare dhe pa mbështetjen e Komisionit të Venecias.

“Ne, si Parti Demokratike e Kosovës, në emër të qytetarëve, në emër të votuesve tonë, nuk pranojmë që t’i nënshtrohemi vullnetit të askujt. Kemi qenë dhe do të mbesim front për ta mbrojtur demokracinë e re në Kosovë, e cila është ndërtuar me shumë mund dhe shumë sakrifica”, tha Hoxhaj, në një adresim para gazetarëve.

Kundër procedimit të Projektligjit për Ndryshime të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është shprehur edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Në mbledhjen e komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës, Tahiri tha se Ligji për Zgjedhjet nuk i përket shumicës parlamentare, por të gjitha subjekteve politike, institucioneve profesionale, shoqërisë civile dhe medies.

Me ndryshimet e propozuara të Projektligjit për Ndryshime dhe Plotësime të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme u mundësohet votuesve kosovarë jashtë vendit që të votojnë në msionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës.

(r.m.)

Comment

*