Opozita në Mal të Zi e tërheq mocionin për rrëzimin e qeverisë

Podgoricë, 13 dhjetor 2021 – Opozita e bashkuar në Mal të Zi e kryesuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq, e tërhoqi mocionin për mosbesimin ndaj qeverisë në nisje të seancës parlamentare.

Në deklaratën e opozitës thuhet se në vend të mocionit, do të kërkohet shkurtimi i mandatit të parlamentit dhe të formohet një shumicë e re parlamentare.

“Duke pasur parasysh njoftimin e Frontit Demokratik se do të paraqesë nismën për shkurtimin e mandatit të parlamentit, e cila u bë publike më 11 dhjetor, pasi opozita e bashkuar nisi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, mendojmë se bisedimet duhet të fillojnë pa vonesë për formimin e shumicës së re parlamentare”, thuhet në deklaratën e opozitës.

Opozita vlerëson se është e nevojshme të krijohen kushtet për rënien e qeverisë dhe shkarkimin e kryetarit të parlamentit.

“Ne jemi të bindur se do të formohet një shumicë e re parlamentare dhe në atë mënyrë do të krijohen parakushtet e nevojshme për rënien e qeverisë dhe shkarkimin e kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi dhe për këtë arsye e tërheqim mocionin për votim të mosbesimit ndaj qeverisë së Malit të Zi”, ka njoftuar opozita e bashkuar malazeze.

Me rastin e tërheqjes së opozitës nga nisma për mosbesimin e qeverisë kryeministri Zdravko Krivokapiq, në një konferencë për media, tha se tërheqja e iniciativës është fitore e qeverisë së tij.

“Kjo është një fitore tjetër e qeverisë,” tha Krivokapiq duke shtuar se “është

një lojë e atyre që u përpoqën të fitonin zë përmes korrupsionit politik. Të tre koalicionet kishin një qëllim në zgjedhje , të rrëzonin regjimin”, tha ai.

Duke e vlerësuar si “lojë joserioze” nismën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, ai tha se nuk janë krijuar parakushte për zgjedhje dhe se fitorja më i mirë për të

gjithë në Mal të Zi do të ishte që Fronti Demokratik dhe Partia Demokratike Socialiste të krijojnë parakushte për një lojë të re politike në Mal të Zi.

“Nuk është një lojë serioze, por secili mund të luajë si të dojë. Do të doja që një skenar i tillë të ndodhte që Fronti Demokratik me Partinë Demokratike Socialiste të krijonin parakushtet për një lojë të re politike në Mal të Zi. Mendoj se kjo do të ishte fitorja më e mirë. për të gjithë në Mal të Zi”, tha Krivokapiq.

Në fund të nëntorit, 40 deputetë të opozitës dorëzuan në procedurë parlamentare nismën për votëbesimin e qeverisë.

Në deklaratat e atëhershme, disa prej tyre, pretendonin se kishin një shumicë mosbesimi ndaj qeverisë aktuale.

Për mosbesimin e qeverisë kërkohen votat e 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa është numri i përgjithshëm i deputetëve në parlamentin e Malit të Zi.

Pikërisht para një viti, me votat e 41 deputetëve u zgjodh qeveria e re e kryesuar nga Zdravko Krivokapiq.

Kjo ishte qeveria e parë që prej tri dekadash e formuar pa Partinë Demokratike Socialiste të presidentit Gjukanoviq.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)