Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kundërshton shtyrjen e cenzusit

Shkup, 30 mars 2021 – Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk po e pranon marrëveshjen për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, të arritur të hënën mes dy liderëve politikë maqedonas, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, të cilët përjashtuan të gjithë faktorin politik shqiptar.

Kryeministri Zaev dhe kryetari i VMRO DPMNE-së, Mickoski thanë se regjistrimi shtyhet për në shtator shkak të gjendjes së rënduar epidemiologjike.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se kjo marrëveshje nuk ka asnjë peshë dhe si të tillë, opozita shqiptare nuk e pranon, ndërsa miratimin e Ligjit për shtyrjen e regjistrimit do ta bllokojë në kuvend përmes votimit të dyfishtë, i njohur si “Parimi i Badenterit”.

“Ka ardhur koha që të bien maskat. Ne qartë e themi se do të bllokojmë Ligjin për shtyrjen e regjistrimit përmes votimit të dyfishtë. I bëjmë thirrje të gjitha partive parlamentare shqiptare që të përdorin këtë mekanizëm dhe shtyrje të mos ketë. Të mos ketë shtyrje sepse qytetarët nuk mund të trajtohen si tallje ekspertimentale. Diaspora nuk është tallje eksperimentale në duart e Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit. Ata duhet të vazhdojnë të regjistrohen sikur edhe deri më tani”, ka deklaruar Sela.

Ai tha se vendimi i dy liderëve për të vendosur për një çështje kaq të rëndësishme ka rrënuar institucionet e sistemit.

“Nuk guxojmë që t’i lejojmë që të prishet rregullimi kushtetutes që ka të bëjnë me republikën parlamentare. Ne nuk kemi mbretër, kemi kryeministër, kemi deputetë, kemi ministra. Ata duhet të sillen konform detyrave që kanë”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Propozim-ligji për shtyrjen e regjistrimit të popullësisë, sic ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq pritet të merren në qeveri në mbledhjen e ditës së martë, ndërsa në procedurë parlamentare do të vendosen në seancën e ditës së mërkurë.

Partitë nuk kanë të drejtë të paraqesin amendamente, por vetëm të votojnë.

Nga opozita shqiptare hedhin dyshime se shtyrja e regjistrimit po bëhet jo për shkak të gjendjes epidemiologjike, por më tepër për shkak të rritjes së interesimit të diasporës për t’u regjistruar dhe paralajmërimit të opozitës maqedonase se do të ftojë maqedonasit që të mos regjistrohen, që në rast se do të ndodhte diçka e tillë nuk do të paraqiste gjendjen reale të përqindjes së etniteteve në Maqedoni të Veriut.

Regjistrim i fundit është mbajtur në vitin 2002, një vit pas konfliktit të armatosur në vitin 2001, që kishte vendosur një rregullim të ri kushtetues në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Marrëveshjes së Ohrit që ndërpreu luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për barazi të shqiptarëve në këtë shtet, ata me ndryshimet kushtetuese ishin bërë pjesë e preambulës, por që të drejtat e tyre janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet. Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha të cilën e flasin mbi 20 për qind të popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe edhe pse nuk përmendet si e tillë. Në bazë të këtij formulimi kushtetuese, shqiptarëve u sigurohet edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.

Partitë shqiptare në vazhdimësi kanë pretendime se numri i shqiptarëve është i lartë se përqindja zyrtare prej 25.17 për qind, bazuar në regjistrimin e vitit 2002.

Regjistrimi i popullsisë kishte nisur më 1 mars me regjistrimin e diasporës, që mobilizoi partitë shqiptarë që t’i bëjnë thirrje diasporës të përfshihen në regjistrim, jo vetëm për të ruajtur parimin kushtetues prej 20 për qind, por për të rritur edhe më shumë numrin e tyre në Maqedoni të Veriut.

Thirrjeve iu bashkuan edhe liderët politikë nga Kosova dhe Shqipëria, si kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama.

“Meqë edhe me Kushtetutën aktuale, të drejtat politike të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut diktohen dhe burojnë nga numrat, regjistrimi i çdo qytetari është tejet i rëndësishëm”, iu ishte drejtuar më 17 mars diasporës shqiptare të Maqedonisë së Veriut, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Mesazhe të ngjashme për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë kanë dërguar edhe Vjosa Osmani, kandidate për pozitën e presidentit të Kosovës, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratikë të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kishte kërkuar nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kudo që ata ndodhen, që të ndajnë pesë minuta kohë dhe të regjistrohen.

“Nga numri i shqiptarëve të regjistruar të varet edhe fuqia kushtetuese e shqiptarëve, të cilët pa diskutim, se janë faktorë shtetformues në Maqedoninë e Veriut”, kishte deklaruar Rama në thirrjen drejtuar diasporës shqiptare.

Maqedonia e Veriut kishte bërë një përpjekje për regjistrim të popullsisë në vitin 2011, por ky proces ishte ndërprerë, disa ditë para përfundimit të procesit. Edhe atëherë përplasjet mes partive kishin të bënin pikërisht me regjistrimin e diasporës.

(Isuf Kadriu, REL)

Comment

*