OSBE në Kosovë: Tokat ngjitur me Manastirit të Deçanit të regjistrohen si pronë e tij

Prishtinë, 22 maj 2021 – Kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, e ka vizituar Manastirin e Deçanit, ku është takuar me Igumenin Sava Janjiq.

Davenport ka thënë se misioni i OSBE-së në Kosovë pret që tokat ngjitur me Manastirin e Deçanit të regjistrohet si pronë e manastirit, në përputhje me sundimin e ligjit.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë do të mbështesë Kishën Ortodokse Serbe për të ruajtur trashëgiminë e saj kulturore dhe fetare në Kosovë, ndërsa ne presim që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit, në përputhje me sundimin e ligjit”, thuhet në shkrimin e tij në Twitter.

Dy ditë më parë, ambasadat e vendeve të QUINT-it në Kosovë kanë kërkuar nga Qeveria ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e tokës rreth Manastirit të Deçanit si prone të manastirit.

Në një deklaratë të përbashkët të ambasadave thuhet se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është provë e vendosmërisë së qeverisë së Kosovës për zbatimin e ligjit.

(r.m.)