Osmani: Aleatët të na ndihmojnë për ndaljen e akteve destabilizuese të Serbisë

Kishinjev (Moldavi), 1 ershor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shtetet aleate duhet të ndihmojnë për ndërprerjen e veprimeve destabilizuese të Serbisë në veri të Kosovës.

“Është me rëndësi që nga Serbia të kërkohet t’i ndalë veprimet destabilizuese dhe bandat e saj kriminale. Këto janë grupe që janë në listën e zezë të SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Ata po terrorizojnë edhe qytetarët serbë çdo ditë. Na duhet ndihma e aleatëve të jemi më të fokusuar në luftimin e grupeve, por urdhri ndaj tyre vjen nga Vuçiqi. Dihet mirë kush i nxit ato të përdorin dhunë në Kosovë, pra presioni duhet të jetë te Beogradi që ta ndalin dhunë, tha presidentja Osmani në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinjev, ku po mbahet samiti i liderëve evropianë.

Presidentja Osmani tha se Rusia po përpiqet të provokojë konflikt në rajon përmes satelitit tësaj, Serbisë, kurse aleatët dhe partnerët duhet ta parandalojnë këtë.

“Ne si rajon e në veçanti si Kosovë jemi vazhdimisht përballë sfidës së ndikimeve hibride që Rusia dhe satelitët e saj janë duke tentuar t’i shtyjnë përpara për ta destabilizuar Evropën. Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë. Unë jam këtu për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë për t’i luftuar këto tendenca dhe për të parandaluar ndikimin e këtyre tendencave”,  tha ajo.

Presidentja Osmani tha se gjatë samitit do të ketë takime me pothuajse të gjithë liderët evropianë. Ajo tha se në këto takime do të kërkojë mbështetje për integrimin e Kosovës në organizatat evropiane dhe do të shjegojë zhvillimet në pjesën veri të Kosovës.

“Kam takime me pothuajse të gjithë liderët që marrin pjesë në këtë samit. Është me rëndësi të kërkojmë përkrahjen e tyre për aplikimin e Kosovës në BE dhe ecjen përpara në Këshill të Evropës, por edhe të shpjegojmë në detaje se çka po ngjan në veri të Kosovës. Një numër i madh i liderëve kanë shprehur interesim për t’u takuar në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për shtensionimin e situatës. Po ashtu, do të kërkoj ndihmën e tyre që t’i luftojnë grupet kriminale në veri që po destabilizojnë vendin tonë”, tha presidentja Osmani.

Ajo tha se nuk ka në plan të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po merr pjesë në samit.

(r.m.)