Osmani dhe Abazoviq replikojnë lidhur me “Ballkanin e Hapur”

Budvë, 30 maj 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkëmbyen replika lidhur me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore, në Budva të Malit të Zi, të hënën, Abazoviq tha se një pjesë e shoqërisë së Malit të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” për shkak të rolit të Serbisë në këtë nismë.

“Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton (“Ballkanin e Hapur”) vetëm sepse është kundër çdo gjëje për çka është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, tha Abazoviq.

“Problemet personale në politikë shpeshherë e përjashtojnë mundësinë për ndonjë lloj vizioni”, shtoi ai.

Abazoviq tha se ai e mbështet çdo nismë për bashkëpunim rajonal, pavarësisht se nga vjen.

“Unë nuk angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo për ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”, theksoi Abazoviq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ndaj komentit të Abazoviqit.

“Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokraci dhe se a është dikush ish-ministër i propagandës i regjimit të (Slobodan) Milosheviqit, kjo duhet të ketë rëndësi. Në të kundërtën, porosia që do të dërgojmë është se nuk ka rëndësi nëse je (Volodymyr) Zelensky apo (Vladimir) Putin”, tha Osmani.

“Në qoftë se nuk ncjerrim mësime nga e kaluara nuk do te jemi në gjendje të ecim në rrugën e drejtë sot derisa të përballemi me luftën sin ë Ukrainë”, theksoi Presidentja e Kosovës.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për bashkëpunim rajonal, por Serbia vazhdon t’i mbyllë të gjitha rrugët e bashkëpunimit me Kosovën.

“Ia kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit vendit që ka kryer gjenocid ndaj nesh, pavarësisht se nuk ka kërkuar falje, pavarësisht se nuk kemi parë asnjë lloj pendese nga ana e tyre, pavarësisht se a janë burgosur kriminelët apo a janë nxjerrë para drejtësisë, pavarësisht se ende i kemi rreth 2000 të pagjetur prej përfundimit të luftës, vendit që fle mbi varrezat masive. Si mund të tregojmë më shumë sesa në këtë mënyrë të shtrijmë dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit?”, theksoi Osmani

Abazoviq, duke iu kundërpërgjigjur Osmanit, tha se nuk e kupton pozicionin e Kosovës ndaj nismës “Ballkani i Hapur’.

“Si ka mundësi që ju, me shumë gjasë, në Procesin e Berlinit, do të uleni me të njëjtët njerëz që,  fatkeqësisht, nuk e njohin Kosovën, ndërkaq Ohri (ku do të mbahet takimi i ardhshëm i nisms ‘Ballkani i Hapur’) është problem? Kjo është ajo që unë nuk e kuptoj”, tha Abazoviq.

Ai tha se në takimin e nismës “Ballkani i Hapur” që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Ohër të Maqedonisë, do të marrë pjesë si mysafir.

Nisma “Ballkani i Hapur” është inicuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atyre u është bashkuar më pas edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar t’i bashkohen kësaj nisme. Refuzuesit e kësaj nisme thonë se “Ballkani i Hapur” është si nismë paralele për Procesin e Berlinit, I cili synon mbështetjen e vendeve të ballkanit Perëndimor për të arritur sa më parë standardet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Faktorët ndërkombëtarë deri më sot e kanë shmangur deklarimin e qartë lidhur me nismën, ndonëse në parim e vlerësojnë çdo nismë që ndikon në rritjen e bashkëpunimit në rajon.

Sidoqoftë, pothuajse të gjithë kanë thënë se kjo nismë është gjë e mirë, në qoftë se në të përfshihen të gjitha vendet e rajonit.  

(r.m.)