Osmani e Kurti do të takohen sot me sekretarin Blinken

Uashington, 26 korrik 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilët ndodhen në vizitë zyrtare në Uashington, sot (e martë) gjatë ditës, do të takojnë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, njoftoi Presidenca e Kosovë.

Takimi do të zhvillohet në Departamentin e Shtetit, në Uashington, në orën 16:30 sipas kohës locale.

Në njoftim thuhet se në takim do të diskutohet për partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, për mbështetjen e sektorëve strategjikë në Kosovë, përfshirë ekonominë dhe mbrojtjen.

“Në takim, Presidentja Osmani do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ajo do ta informojë Sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avancimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Sekretari Blinken ka thënë në disa raste se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe se duhet të ketë këmbëngulje për të ndërtuar institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Ai ka shprehur mbështetjen amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë proces si rrugë për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

Sekretari Blinken ka thënë se shpreson që Kosova të zë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, bashkë me ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë udhëtuar në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Programin Kompakt të Kosovës. Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes do të zhvillohet në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mërkuren.

(r.m.)