Osmani i bën thirrje Indisë: Kosova nuk është Kashmir. Na njihni!

Prishtinë, 8 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Indisë që ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke theksuar se Kosova nuk është Kashmir, shkruan Wionews.

Presidentja Osmani, në një intervistë për televizionin indian “WION”, ka thënë se fillimisht India duhet të njohë vuajtjet e kosovarëve nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pastaj të njohë pavarësinë e Kosovës, realitet ky për të cilin presidentja thotë se nuk ka për të ndryshuar.

“Ne i bëjmë edhe një herë thirrje qeverisë së Indisë që para së gjithash të njohë vuajtjen e popullit të Kosovës nga regjimi gjenocidal e Millosheviqit dhe së dyti, ta njohë realitetin e pandryshueshëm në terren”, ka thënë presidentja Osmani në këtë intervistë për redaktoren e WION, Palki Sharma.

Presidentja ka theksuar se është vetëm çështje kohe kur India do t’u bashkohet vendeve demokratike që e kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

(r.m.)

Comment

*