Osmani: I mirëpresim sanksionet e SHBA-së ndaj krimit të organizuar

Prishtinë, 8 dhjetor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mirëpritur vendimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për vendosjen në listën e sanksioneve të Millan Radoiçiqit, Zvonko Vesellinoviqit dhe 11 personave të tjerë – të gjithë serbë nga Kosova.

Zonja Osmani, në një postim në Twitter, ka shkruar se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të për të shkatërruar grupet kriminale.

“I mirëpres sanksionet e SHBA-së ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij kriminal transnacional nga veriu i Kosovës. Institucionet e Kosovës janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me SHBA-në për të garantuar që rajoni nuk do të jetë parajsë për grupe të këtilla kriminale”, ka shkruar presidentja Osmani.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka vënë në listën e sanksioneve nënkryetarin partisë kryesore serbe në Kosovë, e Listës Serbe, MIllan Radoiçiq, biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, vëllain e tij, Zharkon dhe 10 persona të tjerë të lidhur me ta.

Me futjen e tyre në listen e sanksioneve, prona e tyre bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se këto sanksione “shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky.

(r.m.)