Osmani: Kërcënimet ruse nuk na zbrapsin nga qëllimi për anëtarësim në NATO

Doha, 28 mars 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se asgjë nuk do ta zbrapsë Kosovën nga objektivi për t’iu bashkuar NATO-s. Ajo ka theksuar se kjo është në të mirë  të sigurisë dhe stabilitetit në gjithë rajonin.

“Para disa ditëve ambasadori i Rusisë në Bosnjë tha se nëse Bosnja i bashkohet NATO-s atë e pret një gjë e ngjashme si Ukrainën. Është një kërcënim direkt jo vetëm për Bosnjën por gjithë shtetet në rajon apo mëtej, që kanë synim t’i bashkohen aleancës. Por, kjo nuk duhet të na ndalë që t’i bashkohemi NATO-s”, ka thënë ajo, në një intervistë për “Al Jazeera”.

“Si presidente e shtetit më pro-NATO dhe më pro-Evropian në botë, më duhet të them se Rusia absolutisht do të vazhdojë me qasje të njëjtë të kërcënimit ndaj shteteve që zgjedhin rrugën euroatlantike, duke kërcënuar se do të veprojë si në Ukrainë”, ka theksuar ajo.

“NATO nuk është thjeshtë makinë ushtarake, por është sistem i bazuar në vlera. Duam t’i bashkohemi për shkak të vlerave që paraqet, por edhe për shkak të sigurisë që do t’i sillte rajonit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka vlerësuar se anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO ka sjellë më shumë siguri për rajonin.

Presidentja e Kosovës ka folur edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Ajo ka theksuar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk duhet të lejohet të marrë atë që do në Ukrainë.

“Nëse ne e lejojmë Putinin të marr atë që do, ky është fundi i demokracisë, është fundi i rregullave të të drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye, të gjithë së bashku, vendet e mëdha dhe të vogla, duhet të punojnë së bashku për të ndaluar atë që është duke bërë tani Rusia dhe të sigurohemi që regjimi i Putinit do të bjerë”, ka thënë Osmani.

(r.m.)