Osmani kërkon mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në KE

Budvë, 30 maj 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Takimi është zhvilluar në margjina të Samitit të Demokracisë së Evropës Juglindore, në Budva.

Kabineti i Presidentes Osmani njofton se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe për avancimin e mëtutjeshëm të tyre.

Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani e ka vlerësuar qëndrimin e Malit të Zi dhe ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit, në planin bilateral dhe multilateral. Ajo ka kërkuar përkrahjen e Qeverisë së Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata tjera ndërkombëtare.

Osmani dhe Abazoviq kanë folur edhe për bashkëpunimin rajonal. Në këtë kontekst, Presidentja e Kosovës ka theksuar nevojën e bashkëpunimit mbi bazë të barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Ajo ka theksuar se Kosova e konsideron me priritet bashkëpunimin në kuadër të Procesit të Berlinit.

Presidentja Osmani e kryeministri  Avazoviq kanë diskutuar edhe lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe janë pajtuar me masat e Bashkimit Evropian që synojnë vendosjen e paqes në Ukrainë.

(r.m.)