Osmani: Kosova e gatshme për dialog me Serbinë, por i ka disa “vija të kuqe”

Talin (Estoni) 10 qershor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Por, ajo ka theksuar se ka disa çështje që Kosova nuk do të pranojë të rihapen.

Zonja Osmani ka thënë se çështja e statusit, çështja e kufijve të Kosovës dhe ajo e sovranitetit dhe rregullimit kushtetues janë çështje të mbyllura qysh prej shpalljes së pavarësisë.

“Ne nuk e diskutojmë assesi statusin tonë final. Kosova është vend i pavarur. Po ashtu, lëvizjen e kufijve nuk do ta pranojmë në asnjë mënyrë. Nuk do të pranojmë në Kosovë as modele si ajo e Republikës Serbe në Bosnjë, sepse ne duam ta mbrojmë Kosovën. Këto konsensione ne i kemi bërë me planin e Ahtisaarit. Një çështja e rëndësishme është edhe ajo e personave të zhdukur. Serbia duhet të tregojë se ku janë të zhdukurit”, ka thënë Osmani, në Talin, në një konferencë të përbashkët për medie me Presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid.

Osmani ka thënë se kjo fazë e dialogut që pritet të nisë të martën është një kapitull i ri për Kosovën.

Presidentja e Kosovës ndodhet në një vizitë dyditore në Estoni.

Gjatë ditës, ajo do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit të Estonisë, Jüri Ratas, me kryeministren Kaja Kallas, dhe me kryesuesin e Komitetit për çështje evropiane, Siim Kallas.

Zonja Osmani e kacilësuar vizitën e saj në Estoni si mundësi të mirë për zgjerimin e bashkëpunimit me Estoninë, e cila e ka primatin në nivel global për E-qeverisje.

Ajo ka thënë se Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Estonisë nga fusha e teknologjisë informative, ekonomia, mbrojtja, siguria, arsimi, shëndetësia, turizmi dhe kultura.

Bashkë me Presidenten Osmani, në Estoni gjenden edhe përfaqësuesit e tri kompanive të fushës së inovacionit nga Kosova: Mërgim Cahani (Gjirafa), Jeta Zagraxha (UCK) dhe Uranik Begu (ICK).

(r.m.)

Comment

*