Osmani, Kurti e Gërvalla i kërkojnë Greqisë njohjen e Kosovës

Munih, 18 shkurt 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, janë takuar me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC).

Kryeministri Kurti, në një postim në Twitter, ka shkruar se në takim kanë kërkuar që Greqia ta njohë shtetin e Kosovës.

“Greqia është një faktor shumë i rëndësishëm për rajonin tonë, NATO-n dhe BE-në. Me presidenten Osmani, ministren Gërvalla takova kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Ne ndajmë vlera, synime dhe interesa të përbashkëta ekonomike dhe ritheksuam nevojën për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti. 

Kabineti i Presidentes Osmani ka njoftuar se në takim është kërkuar përkrahja e Greqisë për liberalizimin e vizave për  qytetarët e Kosovës dhe është theksuar se ky proces nuk duhet të ndërlidhet me procese të tjera. Aty është theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në orientimin euro-atlantik dhe në synimin për anëtarësim në NATO, në OKB dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

Në njoftim thuhet se në takim me kryeministrin grek është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Greqisë në fushën e sigurisë, të tregtisë, të kulturës dhe në fusha të tjera me interes të dyanshëm.

(r.m.)

Comment

*