Osmani: Morëm mbështetje për liberalizimin, tani presin veprime konkrete

Bruksel, 23 qershor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në takimin e sotëm të liderëve të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor u shpreh mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo ka thënë se deklaratat duhet të kthehen në veprime konkrete dhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të votohet për liberalizimin.

“Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën; e para, për perspektivën evropiane të saj, e dyta, për liberalizimin e vizave, e treta, për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Tash duhet të shkojmë nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë. Na duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave. Mendoj se deklaratat duhet të kthehen në veprime konkrete e të votohet në nivel të Këshillit të Ministrave për liberalizim”, ka thënë Presidentja Osmani pas përfundimit të samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, transmeton Telegrafi.

Presidentja Osmanika thënë se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që ka dëgjuar deri më tash për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe nga shtetet që deri më tash kanë qenë hezituese.

“Më duhet të them se ky ka qenë grupi i vetëm më pozitiv i deklaratave që kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Madje, edhe vendet që dikur hezitonin, shumë prej tyre sot kanë treguar mbështetje, mbështetje konkrete. Ehe ata kërkuan që të bëhet progres në këtë drejtim. Dhe nuk do të doja të veçoja një vend të vetëm evropian për mbështetjen e tyre. Sepse, pa dyshim, ne llogarisim te të gjithë dhe, siç thashë sot, gjatë takimit, ne llogarisim në lidershipin e tyre, sepse përderisa vakuumi lejohet në Ballkanin Perëndimor, pa dyshim, ai do të përdoret nga qëllimet malinje dhe dashakeqe të Rusisë”, ka thënë ndër të tjera, presidentja Osmani.

(r.m.)

Comment

*