Osmani: Nuk do të lejojmë kurrfarë Asociacioni që do ta bënte Kosovën shtet jofunksional

Prishtinë, 31 janar 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se institucionet e Kosovës nuk kanë pranuar propozime për autonomi të zgjeruar në pjesën veriore të Kosovës apo Asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo për ndonjë lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk u janë prezantuar institucioneve të Republikës së Kosovës. Ajo që ka qenë problem i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata të cilët kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Duhet ta themi një realitet, që është e zeza mbi të bardhë, ajo është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin Kosovën shtet jofunksional.

Presidentja Osmani i ka bërë këto deklarata duke folur për takimin me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi është paraparë tëzhvillohet të hënën në orën 16 e 30 minuta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është deklaruar rreth raportimeve për çështjen e Asociacionit. Ai ka paralajmwruar se qwndrimin e tyij lidhur me kwtw çwshtje do ta thotw pas takimit me Escobarin e Lajçakun.

“Besoj që pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë që të japim komentet tona”, ka thënë ai.

Escobar e Lajçak nisin të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe në Serbi.

Pritet që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së tyre.

Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me Asociacionin, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë së voni se ka modele të ndryshme dhe Qeveria e Kosovës duhet t’I shqyrtojë ato dhe të thotë se cila prej tyre është e pranueshme për Kosovën.

(r. m.)