Osmani pas takimit me Nuland: Kosova nuk ka aleat më të madh se SHBA

Uashington, 11 nëntor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar shumë produktiv takimin që ka pasur me nënsekretaren amerikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Victoria Nuland.

Presidentja Osmani, në një postim në Twitter, ka shkruar se në këtë takim është riafirmuar angazhimi afatgjatë i dy vendeve ndaj partneritetit dhe vlerave të përbashkëta.

Zonja Osmani ka theksuar se Kosova nuk ka aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Një takim shumë produktiv me Nënsekretaren e Shtetit, Victoria Nuland, për të riafirmuar angazhimin afatgjatë të dy vendeve tona ndaj partneritetit dhe vlerave të përbashkëta. Kosova nuk ka aleat më të madh se SHBA dhe unë mezi pres të punoj së bashku, për t’i siguruar që ne edhe më tej do të kontribuojmë për paqe dhe demokraci”, ka shkruar Osmani.

Për takimin e zhvilluar është deklaruar edhe zonja Nuland. Ajo ka thënë se me presidenten Osmani ka biseduar për një game të gjerë të prioriteteve të përbashkëta.

“Me kënaqësi mirëprita presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për të diskutuar një gamë të gjerë prioritetesh të përbashkëta, duke përfshirë sundimin e ligjit, energjinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shtetet e Bashkuara falënderojnë Kosovën për mbështetjen e hershme dhe bujare për të pritur përkohësisht afganët e zhvendosur”, ka shkruar zonja Nuland.

Presidentja Osmani, gjatë vizitës në SHBA, është takuar edhe me kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), Mahmoud Bah, ku është diskutuar rolin e MCC-së në Kosovë dhe për nevojat në sektorin e energjisë.

(r.m.)

Comment

*