Osmani: Presim që dialogu të përfundojë me njohje nga Serbia

Prishtinë, 1 qershor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në procesin e dialogut me Serbinë është thelbësore që të respektohet integriteti territorial i Kosovës, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i shtetit.

“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime, dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, tha Osmani.

Ajo shtoi se çështja e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë duhet të jetë prioritet në dialog.

Osmani i bëri këto komente në takimin që zhvilloi të hënën me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer.

Vizita e tyre në Kosovë po zhvillohet në prag të rifillimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut, ka paralajmëruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të takohen kah mesi i qershorit.

Zyra e Presidentes Osmani tha se diplomatët Lajçak dhe Palmer “e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Zonjas Osmani i ka shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave kundër koronavirusit dhe ka shfaqur shpresën se edhe SHBA-ja do të ndajë vaksina për qytetarët e Kosovës.

Lajçak dhe Palmer u takuan më herët edhe me kryeministrin Albin Kurti.

(r.m.)