Osmani: Serbia nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën

Prishtinë, 29 nëntor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia nuk dëshiron të arrijë marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën.

“Kosova ka qenë pala konstruktive në dialogun me Serbinë, por Serbia nuk është e interesuar të arrijë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Andaj vetëm njohja reciproke duhet të jetë në qendër të këtij procesi. Fqinji ynë nuk e dëshiron një paqe në Ballkanin Perëndimor. Për këtë shpresoj që BE-ja të jetë e qartë me Serbinë. Serbia po vazhdon edhe përmes strukturave ilegale në veri të destabilizojë Kosovën”, ka thënë ajo, të hënën, më 29 nëntor, në Prishtinë, pas takimit me presidentin e Sllovendisë Borut Pahor.

Presidentja Osmani, duke folur rreth zhvillimeve në rajon dhe rreth dialogut me Serbinë, se Serbia është duke e destabliziuar rajonin.

“Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë vazhdojnë të ekzistojnë, ndonëse një pjesë e tyre janë shuar vetëm në formë nominale. Këto struktura paralele mbështeten nga Beogradi. Serbia nga buxheti i saj për vitin 2021 ka ndarë 91.8 milionë euro për financimin e institucioneve paralele dhe aktiviteteve të saj në Kosovë”, ka thënë ajo.

Zonja Osmani ka përsëritur edhe me këtë rast se ndikimi rus në Serbi paraqet një tjetër kërcënim për destabilizimin e rajonit.

“Për t’i luftuar këto tendenca destabilizuese, kemi nevojë për përkrahje të miqve tanë, kemi nevojë për përkrahje të Sllovenisë”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka kërkuar n përkrahjen e Sllovenisë për Kosovën në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe ka theksuar se Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos integrimit në strukturat euro-atlantike.

Presidenti Pahor ka thënë se Sllovenia, si kryesuese e Presidencës së BE-së e mbështet Kosovën në rrugëtimin drejt BE-së dhe dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Sllovenia e mbështet edhe perspektivën euroatlantike të Kosovës. Duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet në dialog dhe të ndikojmë në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Borut Pahor ka arritur në Kosovë një ditë pas vizitës në Beograd, ku bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel.

(r.m.)