Osmani: Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën

Prishtinë, 28 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur edhe një here se Serbia është faktor destabilizues në rajon.

Të martën, në takimin që ka pasur me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ajo ka thënë se Serbia, me diskursin  dhe veprimet  e saj, po tenton ta destabilizojë Kosovën.

Zyra e Presidentes njoftoi se zonja Osmani ka thënë se Kosova nukka ndikuar me asgjë në tensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim”, citohet të ketë thënë ajo.

Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani e ka rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit, të cilat konsiderohen si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe për avancim të mëtutjeshëm të Kosovës në procesin e integrimeve euro-atliantike.

Presidentja Osmani ka shprehur interesimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me institucionet gjermane.

(r.m.)