Osmani: Serbia synon ta bëjë Kosovën shtet jofunksional

Vjenë, 5 prill 2023 – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, e ka vlerësuar si hap shumë pozitiv marrëveshjen bazë për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
“Marrëveshja i trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese të barabarta, për herë të parë. Përmes saj, Serbia e njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe marrëveshja e siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe të simboleve kombëtare. Më e rëndësishmja, në marrëveshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Por, presidentja Osmani është shprehur skeptike se Serbia ka vullnet ta zbatojë këtë marrëveshje. Ajo ka treguar se, përkundër marrëveshjes, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar pak ditë më parë, në Vjenë, se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes. Neni 4 i marrëveshjes e bën të qartë se Serbia nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, ne e dimë se kush është pengesa e vërtetë: nuk është Serbia, është Rusia. Për shkak se e ka të drejtën e vetos, Rusia mund të shkaktojë probleme për pranimin e Kosovës në OKB”, ka shtuar ajo.
Presidentja Osmani është pyetur edhe lidhur me zbatimin e pikës së marrëveshjes lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ajo ka thënë se Serbia qysh tash ka filluar ta përdor atë për të justifikuar mungesën e vullnetit për ta zbatuar marrëveshjen.
“Daçiq (ministri i Jashtëm i Serbis) ka thënë në Vjenë se Kosova duhet së pari të zbatojë marrëveshjen e vjetër për krijimin e Asociacionit të komunave serbe dhe se vetëm atëherë Beogradi do të ndërmarrë hapat për zbatimin e planit të normalizimit. Një plan i tillë nuk është i përfshirë në marrëveshjen që e kemi arritur me Beogradin në Ohër”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka theksuar se kjo dëshmon se Serbia nuk e ka qëllim ta përmirësojë jetën e qytetarëve serbë në Kosovë, por ta bëjë Kosovën shtet jofunksiional.
“Për shembull, nëse Austria do ta kërkonte një shoqatë të veçantë për austriakët në Kosovë, ne nuk do të shqetësoheshim fare. Austria e ka njohur Kosovën si shtet. Nuk është qëllimi i Austrisë ta minojë pavarësinë tonë. Serbia nuk dëshiron të avancohen të drejtat për serbët në Kosovë. Përkundrazi, ajo i përdor strukturat e saj ilegale në veri të Kosovës për t`i kërcënuar serbët që jetojnë atje. Ata thjesht duan ta bëjnë Kosovën shtet jofunksional, siç kanë bërë me Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Ata e duan një Milorad Dodik të dytë (President i Republikës Srpska) në Kosovë”, ka thënë ajo.
Zonja Osmani ka thënë se Kosova i respekton zotimet në kuadër të marrëveshjes dhe do të kujdeset të veprojë në përputhje me kushtetutën.
“Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese po ashtu përmendet nevoja për respektimin e parimit të multietnicitetit. Një shoqatë e komunitetit serb do të duhej gjithashtu të respektonte të drejtat e grupeve të tjera etnike që jetojnë aty. Ne e kemi një vijë të kuqe: nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe. Por, në të njëjtën kohë, natyrisht, ne do t`i zbatojmë të gjitha të drejtat dhe liritë e pakicave sipas standardeve evropiane. Kjo duhet të shkojë paralelisht me zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes, siç është njohja e simboleve kombëtare. Serbia ka treguar se nuk dëshiron ta zbatojë këtë. Ne presim që partnerët tanë do të mbështesin integrimin ndërkombëtar të Kosovës, edhe nëse Serbia vazhdon me bllokada”, është shprehur ajo.
Lidhur me vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, presidentja Osmani ka thënë se çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës do të jetë temë kryesore në takimin e radhës të nivelit të lartë që do të mbahet gjatë muajit prill.
“Si presidente e Kosovës, jam e përkushtuar që këtë ta bëj prioritet të dialogut. Na duhet një marrëveshje përmes së cilës Serbia do t’i hapë arkivat e saj, për ta sqaruar fatin e të zhdukurve me dhunë. Bëhet fjalë për më shumë se 1.600 persona, përfshirë gra dhe fëmijë”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka folur edhe për ndikimin e agresionit rus në Ukrainë në Kosovë dhe në rajon.
“Rusia ka një ndikim negativ në rajon, të cilin po përpiqet ta destabilizojë me ndihmën e aleatit të saj, Serbisë. Sa herë që ka një krizë në Ballkan, ne duhet ta shohim nga një prizëm më i gjerë: respektivisht, pretendimet e Rusisë për hegjemoni mbi Evropën. Duhet të kemi shumë kujdes që ky ndikim i dëmshëm të mos përhapet. Kosova aspiron të jetë në anën e duhur të historisë, jo vetëm ekonomikisht por edhe politikisht. Ne e mbështesim Ukrainën. Në të njëjtën kohë, Rusia do të përpiqet ta destabilizojë Kosovën me ndihmën e Serbisë”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani është pyetur edhe lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ajo ka shprehur bindjen se në fund të procesit gjyqësor do të konfirmohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare.
“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë dhe se në fund të këtij procesi do të konfirmohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare për mbrojtjen e njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit”, ka thënë Osmani
(r.m.)