Osmani: S’ka konsensus për shtyrjen e zgjedhjeve, do të mbahen më 17 tetor

Prishtinë, 13 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se zgjedhjet lokale do të mbahen në datën që është dekretuar prej saj, më 17 tetor.

Zonja Osmani njoftoi se partitë politike nuk kanë arritur konsensus lidhur me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Kushtetuta është e heshtur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve dhe mundësia e vetme, sipas standardeve ndërkombëtare, është që të arrihet një pajtim midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë për një gjë të tillë. Ky konsensus për momentin mungon. Data e zgjedhjeve mbetet ashtu siç ka qenë”, tha Osmani, pas takimit të saj konsultativ me kryetarët apo përfaqësuesit e partive politike parlamentare.

Ajo tha se e respekton qëndrimin e shumicës së partive, ndonëse nuk pajtohet me to.

“Mënyra e vetme për të shtyrë zgjedhjet është arritja e një pajtimi në pushtet dhe opozitë. Unë e respektoj qëndrimin e partive politike, por nuk pajtohem me to. Shtyrja më e madhe e zgjedhje do të ishte më së shumti deri në dy muaj, kjo për t’iu dhënë afat stafit shëndetësor ta vë nën kontroll situatën  epidemiologjike”, tha ajo.

Por, Presidentja Osmani paralajmëroi se ajo do të thërrasë përsëri për konsultime liderët e partive, në qoftë se do të ketë rritje të shifrave të rasteve  të reja pozitive me COVID-19.

Presidentja Osmani tha se para takimit me drejtues të partive politikë ajo e ka kërkuar opinionin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike. 

“Para se të thirrja takimin kam kërkuar analizë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me procesin zgjedhor. Nga instituti  është rekomanduar të bëhet shtyrja e procesit zgjedhor. Ky nuk është vlerësimi i vetëm që ne e kemi kërkuar nga instituti. Një vlerësim i tillë është kërkuar edhe për fillimin e vitit të ri shkollor dhe kemi marrë përgjigjen e institutit për këtë çështje”, tha ajo.

Presidentja Osmani hodhi poshtë akuzat se ajo dhe partia në pushtet e kanë “kapur” institucionet e pavarura dhe institucionet profesionale, të shqiptuara ditët e fundit nga liderët opozitarë.

(r.m.)