Osmani: Sofja po bie pre e provokimeve të atyre që duan tensione mes dy vendeve

Shkup, 26 janar 2023 – Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, shprehu keqardhje për vendimin e Sofjes për tërheqjen e ambasadorit të saj nga Shkupi, tëcilën ai e quan të përkohshme.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se beson se ky vendim i Sofjes do të jetë i përkohshëm dhe theksoi se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve.

“Shpreh keqardhje për këtë tërheqje të përkohshme… Sigurisht se kjo, në një mënyrë shihet edhe si përkeqësim i raporteve. Por, ne jemi të interesuar që të vazhdojë dialogu me Bullgarinë dhe ambasadorët janë instrumenti kryesor për dialog mes shteteve. Kështu që, besoj se ky vendim do të tërhiqet që të mund të vazhdojë ky dialog”, tha ai.

Osmani tha se nuk qëndrojnë arsyetimet se tërheqja e ambasadorit është bërë për shkak të incidentit të Ohrit, pasi organet kompetente po bëjnë gjithçka për zbardhjen e këtij incidenti dhe se tashmë ka persona të ndaluar për këtë rast. Ai theksoi se Sofja po bie pre e provokimeve të personave dhe qarqeve që janë të interesuara për tensione mes dy vendeve.

“… duhet parë edhe konteksti tjetër, pasi kemi zgjedhje në Bullgari, kështuqë tani ka hapësisë edhe për krijimin e një situate të tensionuar politike dhe për provokatorë, dhunues dhe përfitues politikë. Secili prej tyre tenton të përfitojë diçka nga kjo situatë”, tha ministri Osmani.

Bullgaria vendosi të mërkurën t’i ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për tërheqjen e ambasadorit të saj nga Shkupi.

Ky vendim u mor pas një seance të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Bullgarisë, ku u diskutua për tensionet e fundit me Maqedoninë e Veriut, pas sulmit fizik ndaj Hristijan Pendikovit, përfaqësuesit të klubit kulturor bullgar në qytetin e Ohrit.

Sulmi ndaj tij Pendikovit ka ndodhur më 19 janar, por hetimet nuk kanë përcaktuar ende nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale apo për shkak të shtetësisë së tij bullgare.

(r.m.)