Osmani: Ta bëjmë Kosovën “çfarë e dëshiruan ata që ranë për të dhe çfarë e meritojnë qytetarët e saj”

Prishtinë, 17 shkurt 2022 – Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të enjten, më 17 shkurt, një seancë solemne për shënimin e 14-vjetorit të pavarësisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se popullit të Kosovës i janë dashur shumë mund dhe sfida për ta fituar lirinë dhe pavarësinë.

“Ishte rezistenca e popullit tonë që trasoi hapat e mëpasshëm të luftës sonë për liri dhe për shtet”, ka thënë Osmani.

Ajo e ka vlerësuar lart edhe ndihmën e aleatëve të Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë e pavarësisë.

“Jemi këtu sot, jo vetëm falë angazhimit e sakrificës sonë, por edhe sepse patëm ndihmën e miqve tanë. Bota demokratike nuk heshti asnjëherë para vuajtjeve të popullit tonë”, ka thënë ajo.

“Ishte NATO-ja që i dha vulë lirisë sonë. ShBA-të, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar e shumë shtete të tjera të botës së lirë që kontribuuan jo vetëm për lirinë, por edhe për paqen e shtetndërtimin tonë. Ne edhe sot e kësaj dite nuk jemi vetëm. Këto shtete edhe më tej janë në anën tonë. Prandaj, vazhdojnë të jenë në anën e së drejtës.  Faleminderit për atëherë, por faleminderit nga zemra edhe për sot”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar se pa ndihmën e vende aleate e mike nuk mund të finalizohet as rruga evropiane e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në organizata ndërkombëtare.

Ajo ka tërhequr vërejtjen edhe për rrezukun qëvjen nga kursi agresiv i Rusisë.

“Sot, Kosova, rajoni, por edhe i gjithë globi, po përballet me rreziqe të shkaktuara nga kursi agresiv i Rusisë. Tendencat destabilizuese të saj, nëpërmjet përdorimit të aleatit të saj tradicional, Serbisë, synojnë të shkaktojnë destabilizim edhe në rajonin e Ballkanit”, ka theksuar ajo.

Presidentja e Kosovës ka thën se Kosova vuan ende nga “plagët” e luftës. Ajo e ka renditur më të parën çështjen e personave të zhdukur  gjatë luftës.

“Kosova sot nuk është as ajo e qershorit të vitit 1999 dhe as ajo e shkurtit të vitit 2008. Megjithatë, liria jonë ende nuk është përmbushur, sepse sot kujtojmë edhe mbi 1,600 të zhdukur me dhunë, zbardhjen e fatit të të cilëve po e mban peng Serbia. Por, një është e sigurt. Nuk do të pushojmë asnjë çast derisa familjet e tyre të gjejnë qetësinë”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka folur edhe për procesin e negociatave me Serbinë. Ajo ka theksuar se ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke dhe se marrëveshja gjithëpërfshirëse nuk do të cenojë integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t`i shkaktojë kokëçarje shtetit tonë, e  rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunksionalizimin e shtetit tonë. Tërësia territoriale e vendit tonë, sovraniteti e rendi ynë kushtetues janë të panegociueshme dhe të shenjta”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka folur edhe për të ardhmen e Kosovës. Ajo ka thënë se institucionet shtetërore nuk do ta ndalen asnjëherë së punuari derisa ta bëjnë Kosovën shtet “çfarë e dëshiruan ata që ranë për të dhe çfarë e meriton secili qytetar i vendit”.

“Në këtë 14 vjetor, jemi krenar, porse jo edhe të vetëkënaqur. Nuk do të mjaftohemi asnjëherë deri sa shtetin tonë ta bëjmë të tillë çfarë e dëshiruan ata që ranë për të, e çfarë e meriton secili qytetar i vendit. Të ardhmen e kemi në duart tona. Mjafton të shpresojmë, të punojmë me zell ta duam dhe të mundohemi që Kosovën ta bëjmë më të mirë se dje. Ky shtet është i yni, është atdheu ynë i vetëm, ndaj duke e ndjerë përkatësinë ndaj tij, ta ngjallim shpresën dhe t`u themi edhe brezit të ri, se Kosova është shtëpia e tyre, ku ata e ndërtojnë perspektivën e tyre sot, por më shumë edhe nesër”, ka theksuar Presidentja Osmani në fjalën e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e  tij, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë “rezultat i luftës çlirimtare, kauzës së drejtë për vetëvendosje dhe solidarizimit të botës demokratike”.

Kurti ka thënë se Kosova sot është republikë demokratike që mundëson lirinë e shprehjes, përfshirë edhe atë të protestës.

“Si kryeministër i vendit, e kuptoj dhe e pranoj që njerëzit do të thonë lloj-lloj gjërash çdo ditë për mua. Unë do të mbroj të drejtën e tyre për ta bërë këtë, sepse lufta jonë për liri nuk ishte luftë vetëm për t’u çliruar nga okupimi, por edhe për të jetuar të lirë”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për qeverisjen aktuale të vendit, të cilës i ka njohur merita të shumta, duke theksuar fuqizimin e rendit e ligjit dhe luftën kundë korrupsionit e krimit të organizuar.

Gjatë fjalimit të Kurtit, deputetët e partive opozitare (LDK, PDK e AAK) e kanë braktisur sallën e Kuvendit.

Para se ta braktisnin sallën e Kuvendit, deputetët e PDK-së e kanë lëshuar incizimin e deklaratës së shpalljes së pavarësisë, lexuar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, më 17 shkurt 2008.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk kanë marrë pjesë as deputetët serbë.

Fjalimi i plotë i Presidentes Vjosa Osmani:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës z.Glauk Konjufca,

I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatik,

Të nderuara familje të dëshmorëve, ish presidentë e ish-kryeministra dhe të gjithë ju të pranishëm,

Shumë të dashur qytetarë të vendit tonë:

 

Në këtë sallë, 14 vjet më parë, Kosova u shpallë shtet, duke jetësuar kështu vullnetin e qytetarëve tanë për të jetuar në një vend sovran e të pavarur. Aspirata shekullore e popullit të Kosovës u materializua me pavarësinë e Kosovës, e cila hapi një kapitull të ri jo vetëm për ne, por edhe për globin, duke regjistruar në historinë njerëzore të asaj kohe shtetin më të ri në botë.

Rruga deri te ky akt nuk ishte e lehtë. Populli i Kosovës ka përjetuar kalvarin nën regjimin gjenocidal të Serbisë. U dashtë shumë mund, shumë sakrifica dhe sfida për ta bërë lirinë, e po aq shumë për ta bërë shtetin.

Ishte rezistenca e popullit tonë që trasoi hapat e mëpasshëm të luftës sonë për liri e për shtet. Nën udhëheqjen e atit tonë themeltar, presidentit Dr. Ibrahim Rugova, Kosova në atë kohë i bëri të ditur botës demokratike se synim i saj ishte pavarësia e vendit si një parakusht për paqe e për stabilitet në rajon.

Çlirimi nga robëria nuk ishte drama jonë kombëtare me një akt. Prandaj, për aq sa u rrit shtypja ndaj nesh, me të njëjtin ritëm nisi të transformohet rezistenca jonë paqësore në rezistencë të armatosur.

Vajza e djem të UÇK-së, u bënë gardian të atdheut, duke vendosur përmbushjen e idealit për lirinë e vendit si aktin më sipëror për Republikën tonë.

Secila luftë i ka heronjtë e vet. E liria jonë e njeh Komandantin Adem Jashari, komandantin tonë legjendar bashkë me familjen e tij si udhëheqës të kësaj lufte të cilët u bënë fli për këtë liri që e gëzojmë sot. Ne do ta nderojmë përjetësisht figurën e e komandantit Adem Jashari, por edhe të mijëra dëshmorë të luftës sonë çlirimtare, të cilët i dhanë hov përpjekjes sonë për çlirim deri në lirinë tonë përfundimtare. Sot i nderojmë edhe të gjithë ata invalidë të luftës, të cilët nuk hezituan të japin gjithçka për liri, secilin dëshmorë e secilin martir të vendit tonë. Sikurse do t`i kujtojmë përherë viktimat civile të luftës sonë, burra e gra e shumë fëmijë të cilët ranë për lirinë tonë. Të gjithë meritojnë respekt e nderim, sepse ky shtet është ndërtuar edhe mbi gjakun e 1133 fëmijëve të pafajshëm të vrarë gjatë luftës, të cilët u shndërruan në lule të lirisë.

Të nderuar të pranishëm

Jemi këtu sot, jo vetëm falë angazhimit e sakrificës sonë, por edhe sepse patëm ndihmën e miqve tanë. Bota demokratike nuk heshti asnjëherë para vuajtjeve të popullit tonë.

Sot këtu në mesin tonë kemi ambasadorë e përfaqësues diplomatik të vendeve, të cilat në vitin 1999 u vunë në anën e drejtë të historisë, duke na mbrojtur nga shfarosja e synuar nga regjimi i Millosheviqit. Këto shtete mike u vunë në anën e lirisë si një e drejtë themelore njerëzore. Prandaj liria jonë i dedikohet edhe shteteve mike që na u gjenden pranë në ditët më të rënda për popullin tonë.

Ishte NATO-ja që i dha vulë lirisë sonë. ShBA-të, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar e shumë shtete të tjera të botës së lirë që kontribuuan jo vetëm për lirinë, por edhe për paqen e shtetndërtimin tonë. Ne edhe sot e kësaj dite nuk jemi vetëm. Këto shtete edhe më tej janë në anën tonë. Prandaj, vazhdojnë të jenë në anën e së drejtës.  Faleminderit për atëherë, por faleminderit nga zemra edhe për sot!

Rrugën evropiane të Kosovës nuk mund ta bëjmë pa ndihmën e këtyre shteteve mike. Siç e kurorëzuam lirinë dikur me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë që me ndihmën e tyre ta përmbyllim edhe procesin e integrimit në strukturat euroatlantike, anëtarësimin në Kombe të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Por, të nderuara zonja dhe zotërinj, të nderuar deputetë liria kërkon edhe mirëmbajtje. Gjithmonë ka forca destruktive që e cenojnë atë. Sot, Kosova, rajoni, por edhe i gjithë globi po përballet me rreziqe të shkaktuara nga kursi agresiv i Rusisë. Tendencat destabilizuese të saj, nëpërmjet përdorimit të aleatit të saj tradicional, Serbisë, synojnë të shkaktojnë destabilizim edhe në rajonin e Ballkanit.

Përpjekje të tilla i dënojmë fuqishëm, siç e dënojmë edhe kërcënimin e hapur dhe tendencën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Kjo përplasje nuk është vetëm një luftë ndërmjet dy shteteve, por edhe përpjekje për krijimin e një rendi të ri botëror. Është një konflikt i ashpër ndërmjet demokracisë e lirisë së popujve në njërën anë kundër autokracisë në anën tjetër, që synon ta rrëmbejë të drejtën e popujve për të jetuar të lirë dhe siç duan ata. Për të gjithë ata që pyesin pse Kosova merret me Ukrainën sot, po u jap një përgjigje nëpërmjet deklaratës së përfaqësuesit të SHBA-ve në OSBE, i cili tha: “Kjo krizë është shumë më e madhe se sa thjeshtë një krizë në Ukrainë. Kjo ka të bëjë me llojin e botës në të cilën duam të jetojmë. Një botë në të cilën tanket dhe raketat e një fqinji të fuqishëm mund të vendosin fatinë një vendi fqinj APO një botë në të cilën qytetarët lirshëm zgjedhin të ardhmen e vendit të tyre për veten e tyre.”

Kosova ka vendosur se në cilën anë është.

Prandaj, Kosova fuqishëm edhe sot qëndron me aleatët e saj dhe qëndron në anën e demokracisë. E vlera e demokracisë më së shumti shihet në ditë si kjo, më 17 shkurt, në përvjetorin e pavarësisë sonë.

 

Të nderuar të pranishëm

Kosova sot nuk është as ajo e qershorit 1999, as ajo e 17 shkurtit 2008. Megjithatë, liria jonë ende nuk është përmbushur, sepse sot i kujtojmë edhe mbi 1600 të zhdukur me dhunë, zbardhjen e fatit të të cilëve po e mbanë peng Serbia. Por, një është e sigurt që nuk do të pushojmë asnjë çast derisa familjet e tyre ta gjejnë qetësinë. E vërteta mund të vonohet, porse jo edhe të shmanget përjetësisht.

Procesi i dialogut me Serbinë natyrisht që do të përfundojë me njohjen reciproke, siç edhe e përsëriti prapë Presidenti Biden në urimin për 14 vjetorin e pavarësisë.

Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t`i shkaktojë kokëçarje shtetit tonë, e  rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunksionalizimin e shtetit tonë. Tërësia territoriale e vendit tonë, sovraniteti e rendi ynë kushtetues janë të panegociueshme dhe të shenjta.

Shteti ynë ka sfida, por megjithatë 14 vjet pas shpalljes së pavarësisë,  është shumë më i konsoliduar në shumë aspekte, edhepse ka ende shumë punë për t`u bërë.

Në këtë 14 vjetor, jemi krenar, porse jo edhe të vetëkënaqur.

Nuk do të mjaftohemi asnjëherë deri sa shtetin tonë ta bëjmë të tillë çfarë e dëshiruan ata që ranë për të, e çfarë e meriton secili qytetar i vendit.

Të ardhmen e kemi në duart tona. Mjafton të shpresojmë, të punojmë me zell ta duam dhe të mundohemi që Kosovën ta bëjmë më të mirë se dje. Ky shtet është i yni, është atdheu ynë i vetëm, ndaj duke e ndjerë përkatësinë ndaj tij, ta ngjallim shpresën dhe t`u themi edhe brezit të ri, se Kosova është shtëpia e tyre, ku ata e ndërtojnë perspektivën e tyre sot, por më shumë edhe nesër.

Urime dita e pavarësisë të gjithë qytetarëve të Kosovës!

Faleminderit!

(r.m.)