Paketa antishpifje rrezikon lirinë e fjalës

Nga Ruben Avxhiu

Paketa ligjore “anti-shpifje” që pritet të miratohet në Shqipëri dëshmon se sa më shumë pushtet i jep një politikani, aq më shumë i pasigurtë ndihet. Aq më shumë kërkon të shkurtojë lirinë e të tjerëve.
Kryeministri Edi Rama gëzon sot një pushtet që nuk e ka pasur askush më parë, në Shqipëri, që prej gjysmës së dytë të vitit 1996 të Presidentit Sali Berisha.
Opozita ka dalë tërësisht jashtë sistemit, duke lënë në duar të Partisë Socialiste edhe aleatëve të saj, parlamentin dhe pushtetin lokal.
Me përjashtim të postit të Presidentit, sistemit të papërfunduar gjyqësor dhe një pjese të medias, Rama gëzon një kontroll që asnjë demokraci e shëndetshme nuk mund ta lejojë.
Në këtë situatë, Rama ka luksin që të tregohet më tolerant, në mos me kundërshtarët e tij politikë, të paktën me kritikët e tij në media. Në fakt, po ndodh e kundërta. Një paketë antishpifje synon një kufizim të paparë të fjalës së lirë në Shqipëri, me justifikimin e abuzimeve me lajmet e rrema, cënimin e integritetit personal e përdorimin e medias për arsye biznesi e idologjie.
Bota e medias shqiptare ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më toksike në vitet e fundit. E drejta e autorit e ka humbur çfarëdo vlere. Shpifjet dhe përbaltjet shumëfishohen pa përgjegjësi për shkak të anonimitetit që siguron intereneti. Abuzimet me teknologjinë rrezikojnë sigurinë dhe privatësinë e shqiptarëve nga faqe e programe intereneti të krimbura në viruse, përgjues, e reklamime të paligjshme pafund.
Në këtë situatë, shqetësimi publik duhet të jetë normal dhe shqiptarët ashtu si çdo shoqëri tjetër në botë duhet të gjejnë mënyra për të bashkëjetuar me botën e internetit në të cilën janë përfshirë.
Mirëpo, paketa e ofruar nga qeveria nuk ka synim që të luftojë problemet e dukuritë negative të medias së sotme, sesa është një përpjekje flagrante për të vënë nën kontroll edhe ato pak zëra që kanë mbetur kritike.
Paketa shpërfill përgjigjet bashkëkohore të botës së demokracisë së lirë duke krijuar shqetësime të mëdha mes vëzhguesve të medias në Shqipëri.
Qeveria Rama dhe Kuvendi kanë ende mundësi që të rishikojnë paketën për të shmangur disa elemente më flagrante. Fjala dhe shqetësimi i shoqatave të gazetarëve, Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, etj duhen dëgjuar e ndreqjet e propozuara të konfirmohen në tekst.
Në epokën e sotme të teknologjisë përpjekja për t’ua mbyllur gojën njerëzve është gati e pamundur. Çdo njeri në rrjetet sociale është media. Masa të tilla rrezikojnë më shumë të provokojnë të kundërtën, të armiqësojnë me kryeministrin edhe ata që deri tani nuk knë pasur interes për politikën për shkak se janë zhgënjyer nga të gjitha partitë. Paketa nuk bën asgjë tjetër vetëm sa konfirmon akuzat e opozitës se Rama është në fakt një politikan me prirje të qarta autoritariane. Është tërthorazi një fitore për opozitën, se në politikën shqiptare asnjë dëm nuk të vjen nga kundërshtari, të gjitha humbjet janë të vetëshkaktuara.
Në vend që të ndalë sulmet ndaj tij, Rama do të shtojë arsye për të besuar se ato janë të merituara. Si dikush që u fut në politikën shqiptare duke kërkuar më shumë liri fjale, Rama po e mbyll ciklin e plotë duke u bërë pikërisht lloji i qeveritarit që druhej se po çimentohej në Shqipëri.
Mungesa e kritikës nuk e forcon një politikan. E verbon atë ndaj realitetit që herët a vonë do të ndeshet me të. Mobilizon kundër tij segmente të shoqërisë që deri atëhere kanë përbuzur politikën. Ky ligj në vend që ta çimentojë pushtetin e tij politik, mund të shënojë fillimin e një rënie që është paralajmëruar shpesh po që ende nuk ka ndodhur.