Palmer e Lajçak gjenden në Beograd, për dialogun Kosovë-Serbi

Beograd, 3 qershor 2021 – Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë arritur në Beograd, në kuadër të përgatitjeve për rifillimin bisedimeve ndërmjet dy palëve.

Në mbrëmje, Palmer e Lajçak do të takohen me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dy diplomatët arritën në Beograd, pas vizitës në  Prishtinë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë ata deklaruar se procesi i integrimeve evropiane për Kosovën dhe Serbinë varet nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zoti Palmer përsëriti në Prishtinë qëndrimin tashmë të njohur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të sjellë njohjen e ndërsjellë.

Palmer pritet t’ia transmetojë këtë qëndrim edhe presidentit Vuçiq, i cili kërkon me ngulm “një zgjidhje kompromisi”, por përsërit vazhdimisht se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht prej trysnisë që po ushtron perëndimi.

Bashkimi Evropian, si lehtësuar i dialogut mes Kosovës e Serbisë, ka paralajmëruar se gjatë muajit qershor pritet të realizohet një takim i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Para takimit, të dy liderët kanë polemizuar në distancë lidhur me temat e  bisedimeve. Një prej temave që shkakton përplasje mes tyre është ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e krijimit të asociacionit njëetnik, ndërsa Vuçiqi ka thënë se formimi i Asociacionit është obligim i Kosovës që buron nga dy marrëveshje të nënshkruara në Bruksel: njëra në vitin 2013 dhe tjetra në vitin 2015.

(r.m.)