Paloka i tregon medias 4200 formularët e plotësuar nga delegatët e Berishës

Kryetari i Këshillit të Kuvendit, Edi Paloka para medieve ditën e sotme, 12 nëntor ka treguar nga afër të gjithë formularët e dorëzuar nga mbështetësit e ish-kryetarit të PD-së Sali Berisha të cilët kërkojnë mbajtjen e një Kuvendi.

Paloka u shpreh se verifikimi i firmave të delegatëve do të bëhet ditën që do të mblidhet Kuvendi.

Paloka: Rikonfirmoj që janë 4200 formularë të dorëzuar. Kanë ardhur dhe formularë të tjerë të cilët nuk do t’i deklaroj. Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit të PD janë përcaktuar në statut dhe janë nga kryetar seksioni, sekretar dhe kryetar grup seksioni, kryesia  degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetët, pra kjo është e parashikuar në statut. Të gjithë këta që janë firmosur nuk janë anëtarë të thjeshtë të PD-së, janë të gjithë delegatë të Kuvendit siç e përcakton statuti.

Paloka shtoi se formularët janë me të gjitha të dhënat e delegatëve.

Paloka: Verifikimi do bëhet në Kuvend, që është i jashtëzakonshëm. Atë ditë para se të fillojë Kuvendi do lexohen dhe emrat dhe do verifikohen formularët. U aludua edhe që nuk janë fare, por për të qenë janë këtu 4200. Dikush mund të thotë që janë falsifikuar, dikush mund të thotë që janë marrë me zor, por këto do vërtetohen ditën e Kuvendit.

Nëse Basha nuk e njeh këtë Kuvend çfarë do të ndodhë me Komisionin?

Paloka: Ky është Kuvend i jashtëzakonshëm, procedurat e statutit parashikojnë kur Kuvendi mblidhet në mënyrë normale dhe të zakonshme. Janë këtë rast nëse nuk i përgjigjen detyrimeve statutore ata që e kanë detyrim, jemi të detyruar t’i bindemi vullnetit të shumicës, se nuk kemi më 1/4, por kemi shumicën e Kuvendit të PD me këtë numër dhe jemi të detyruar të zbatojmë detyrimet statutore duke filluar që nga kryetari.Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, kanë detyrimin firmëtarët që të vazhdojnë me procedurat.oranews