Pamjet nga kufijtë e Rusisë tregojnë përmasat e largimit të rusëve nga vendi

Moskë, 22shtator 2022 – Radhët e gjata të automjeteve në vendkalimet kufitare të Rusisë me vendet fqinje tregojnë përmasat e largimit të rusëve nga vendi pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për mobilizim për luftën në Ukrainë.

Në kufi me Gjeorgjinë janë krijuar radhë të gjata me kilometra të automjeteve me të cilat udhëtojnë burrat që përpiqen t’i shpëtojnë mobilizimit.

Një burrë, i cili nuk deshi të identifikohej, ka thënë për BBC se sapo e kishte dëgjuar lajmin për mobilizim e kishte marrë pasaportën dhe menjëherë ishte nisur drejt kufirit, pa paketuar asgjë tjetër, sepse ai bie në grupin e qytetarëve që mund të dërgohet në luftë.

Disa dëshmitarë kanë thënë se radha e automjeteve në venbdkalimin kufitar “Larsi i Epërm” ishte rreth 5 km e gjatë, ndërsa një grup tjetër kanë thënë se kanë pritur shtatë orë për ta kaluar kufirin.

Në disa pamje nga vendi i ngjarjes shihen disa shoferë që i lënë në rrugë veturat ose kamionët për shkak të bllokimit të trafikut.

Gjeorgjia është një nga vendet e pakta fqinje ku rusët mund të hyjnë pa pasur nevojë të aplikojnë për pajisje me vizë.

Finlanda, e cila ndahetnga Rusia me një kufi të gjatë 1.300 km kërkon një vizë hyrjeje për rusët. Megjithatë, edhe në vendkalimet midis këtyre dy shteteve është raportuar për rritje të trafikut gjatë natës.

Biletat e aeroplanit drejt destinacioneve në të cilat mund të shkojnë rusët -Stambolli, Beogradi ose Dubai – kanë arritur çmime  astronomike e megjithkëtë biletat në drejtim të disa destinacioneve janë shitur plotësisht.

Mediat turke kanë raportuar për një rritje të madhe të shitjeve të biletave një drejtimëshe.

Vendimi i Putinit për mobilizim nxiti protesta në qytetet kryesore ruse, përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun. Më se 1.300 protestues janë arrestuar nga policia, e cila ka ushtruar dhunë të konsiderueshme  për të shpërndarë protestat. 

 

(r.m.)