Pandëshkueshmëria stimulon sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë

Prishtinë, 1 nëntor 2021 – Të demoluar e me vrima nga plumbat e kishte gjetur veturën e tij gazetari Shkumbin Kajtazi në mesnatën e 18 tetorit të vitit 2020.

Ky sulm kishte ndodhur në qendër të qytetit të Mitrovicës, ku vetura ishte e parkuar, ndërsa Kajtazi ishte afër dhe kishte dëgjuar krisma.

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga ky sulm, për këtë rast nuk është arrestuar e as dënuar askush.

Kajtazi është pronar i mediumit online “Jepi zë”, ndërsa ka qenë edhe bashkëthemelues e redaktor në mediumin online “Reporteri”.

Ai ka thënë se nuk ka pasur lëvizje në drejtim të gjetjes së të dyshuarve apo arrestimin e ndokujt për këtë rast.

“Vetëm në fillim ka qenë një interesim për shkak të presionit publik. Ndërkohë, Prokuroria as nuk më ka thirrur as nuk më ka intervistuar”, tregon Kajtazi për Radion Evropa e Lirë.

Sulmi me plumba në veturën e Kajtazit ndodhi vetëm katër muaj pasi ai ishte përballur me një sulm tjetër, ku një i dyshuar kishte tentuar t’ia digjte veturën.

I dyshuari në këtë rast ishte identifikuar dhe dënuar nga Gjykata me 10 muaj burgim, por ky dënim, sipas Kajtazit, është i ulët.

“Si unë, edhe Prokuroria, kemi qenë të pakënaqur prandaj vendimi është apeluar”, ka treguar ai.

Po në vitin 2020, gazetari Valon Syla ishte sulmuar nga një person derisa dikush tjetër po e xhironte sulmin.

Për sulmin që ndodhi në dhjetor të 2020-s, në janar të vitit 2021 Gjykata e dënoi të dyshuarin me 4 mijë e 500 euro gjobë.

Këtë dënim e pa si të papranueshëm edhe juristja e mediave, Flutura Kusari.

“Gjykata është dashur ta dënojë sulmuesin me burgim dhe kështu të çonte mesazh te të tjerët se rrahja e gazetarëve ka pasoja të rënda juridike”, kishte shkruar ajo në një postim në Facebook.

Askush nuk është dënuar apo arrestuar as për sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi më 25 shkurt 2021.

Sulmi nga disa persona, Duriqit i kishte shkaktuar lëndime trupore duke përfshirë thyerje të hundës dhe dhëmbëve.

Nuk ka statistika për dënimet e sulmuesve të gazetarëve në Kosovë

Më 2 nëntor shënohet Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve.

Sulmet verbale, fizike apo presione të formave të tjera ndaj gazetarëve në Kosovë janë të identifikuara dhe listuara në një platformë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Të dhëna mbi sulmet dhe veprimet hetimore për këto sulme ofrojnë edhe Prokuroritë në Kosovë.

Megjithatë, statistika mbi dënimet lidhur me këto sulme në gjykata nuk ofrohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në një përgjigje ndaj kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me dënimet e shqiptuara për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve në vitet e fundit, KGJK ka bërë të ditur se rastet i klasifikojnë vetëm sipas veprave penale dhe jo profesionit të viktimës në këtë rast.

Sipas këtij institucioni, të dhënat mund të kërkohen vetëm për raste individuale.

Punën e gjykatave të Kosovës për zgjidhjen dhe dënimin e sulmeve ndaj gazetarëve nuk po e shohin si ideale aktivistë e përfaqësues të komunitetit të gazetarëve.

Albioneta Ademi, anëtare bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës e konsideron të padrejtë mënyrën e trajtimit të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve karshi personave zyrtarë në vend.

“Gazetarët bëjnë punë në shërbim të publikut, ndërsa pasojat, që vijnë nga puna e tyre, u duhet t’i bartin si individë. As nuk shohim se sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre të merren me prioritet, e ndonjëherë as me seriozitet”, thotë ajo.

Sipas Ademit, megjithëse Kosova qëndron më mirë se vendet e rajonit në siguri dhe liri të shprehjes për gazetarët, situata është larg ideales.

Pandëshkueshmërinë e krimeve ndaj gazetarëve e sheh si problem edhe juristja e mediave, Flutura Kusari.

“Në qoftë se i ndodh një sulm një politikani, rasti zgjidhet me shpejtësi shumë të madhe, ndërsa kur një gjë e tillë u ndodhë gazetarëve, nuk ka rezultate”, thotë ajo.

Sipas saj, kjo klimë ka bërë që problemi me sigurinë e gazetarëve të evidentohet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Raporti i publikuar më 19 tetor, “ka shqetësime lidhur me fushatat e shpifjes, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve”.

Raporti i Progresit kritikon edhe Serbinë dhe Shqipërinë në lidhje me sulmet ndaj gazetarëve dhe lirinë e shprehjes, në përgjithësi.

Raportim në kushte të rrezikshme dhe pa mbrojtje

Dëmtim të pajisjeve, ndjekje e sulme me mjete shpërthyese piroteknike janë disa nga ngjarjet, me të cilat u përballën gazetarët shqiptarë e serbë më 13 tetor në veri të Kosovës.

Gjatë raportimit për aksionin e Prokurorisë kundër kontrabandës në disa qytete të Kosovës, përfshirë komunat me shumicë serbe, u regjistruan disa sulme ndaj gazetarëve.

Në platformën e Asociacionit të Gazetarëve janë shënuar të paktën tri raste të sulmeve në atë ditë.

Njëri nga këto sulme kishte ndodhur derisa kamera e televizionit “Kanal 10” po xhironte dhe po transmetonte pamje të drejtpërdrejta.

Gazetarja Albulena Rexha u godit nga një mjet piroteknik shpërthyes dhe transmetimi u ndërpre.

“Më është dukur si gjendje lufte, pavarësisht se kemi qenë të përgatitur se çfarë mund të ndodhë atje”, tregon Rexha.

Gazetarja thotë se pasi që sulmi ka qenë publik dhe është parë nga të gjithë, ata kanë zgjedhur të mos e raportojnë rastin në Polici.

Ajo thotë se nuk kanë pasur mbrojtje nga Policia as gjatë raportimit dhe nuk janë ndier të sigurt atje.

Sipas të dhënave statistikore nga Prokuroritë në gjithë Kosovën, deri në shtator 2021 në lidhje me sulme ndaj gazetarëve, për 4 persona është hedhur kallëzimi penal, për 4 persona është ngritur aktakuzë për dhënien e urdhrit ndëshkimor dhe për 2 persona është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejtë.

Sipas profesorit në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zenelaj, përveç se sistemi i drejtësisë meriton kritika për mënyrën e trajtimit të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, këtyre të fundit u duhet edhe organizim më i mirë.

Sipas tij, gazetarët do të mund të merreshin vesh për bojkotim të raportimit nga një fushë e caktuar në shenjë proteste për moszgjidhje të rasteve të sulmeve ndaj tyre.

“Gazetarët nuk kanë organizim sindikal të mirëfilltë. Do të kishte një qasje tjetër ndaj trajtimit të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve”, vlerëson ai.

Zenelaj, po ashtu, ka thënë se gazetarët bëjnë keq kur nuk i marrin seriozisht kërcënimet e përditshme që u bëhen në rrjete sociale.

Sipas raportit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, për 226 nga 278 gazetarët që janë vrarë nëpër botë në dekadën e fundit, nuk ka pasur ndëshkim.

Sipas raportit, ndër shtetet me nivelin më të lartë të mosndëshkueshmërisë për këto raste janë Somalia, Siria, Iraku, Sudani Jugor dhe Afganistani.

Në këtë raport janë përfshirë vetëm shtetet me pesë ose më shumë raste të pazgjidhura të vrasjes së gazetarëve, e në këtë kategori nuk hyjnë vendet e Evropës.

Megjithatë, sipas një deklarate të Komisionit Evropian vetëm në vitin 2020, 908 gazetarë dhe punëtorë të mediave janë sulmuar në 23 vende anëtare të Bashkimit Evropian.

(Doruntina Baliu, REL)

Comment

*