Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftimeve në Izrael dhe Gaza

Romë, 16 maj 2021 – Papa Françesku bëri thirrje të dielën për t’i dhënë fund konfliktit në Izrael dhe Gaza, duke thënë se vdekjet e kaq shumë njerëzve të pafajshëm ditët e fundit, përfshirë fëmijët, ishin të papranueshme.

“Unë apeloj për qetësi dhe ata që janë përgjegjës t’i japin fund përdorimit të armëve dhe të drejtohen në rrugën e paqes”, tha ai në një fjalim të përjavshëm për besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

“Shumë njerëz të pafajshëm kanë vdekur, mes tyre ka edhe fëmijë. Kjo është e tmerrshme. E papranueshme. Vdekja e tyre është një shenjë se njerëzit nuk duan të ndërtojnë një të ardhme, por po e shkatërrojnë atë…Pyes veten se ku mund të çojë urrejtja dhe hakmarrja?”, tha Papa.

Mjekët palestinezë thonë se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Gaza të dielën ka arritur në 33. Ky është numri më i madh i viktimave që nga fillimi i luftimeve.

Më 16 maj, ushtria izraelite tha se ka kryer sulme ajrore në shtëpinë e Yahya Sinwar, kreu i krahut politik të Hamasit në Rripin e Gazës. Ushtria nuk bëri të ditur nëse ai u vra.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se fushata aktuale kundër militantëve palestinezë “do të vazhdojë për aq kohë sa nevojitet” megjithë thirrjet për qetësi nga Uashingtoni dhe Kombet e Bashkuara.

Netanyahu është zotuar se do të “vazhdojë të përgjigjet me forcë” ndaj sulmeve me raketa, derisa konflikti me palestinezët në Gaza hyri në ditën e shtatë.

Militantët palestinezë qëlluan me raketa drejt Tel Avivit, duke bërë që njerëzit atje të largoheshin në strehimore.

Grupet e armatosura palestineze kanë shkrepur të paktën 2,300 raketa në drejtim të Izraelit që nga fillimi i përshkallëzimit të dhunës.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit të përshkallëzuar. Të dielën vonë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë një takim.

Grupi militant islamik Hamas filloi sulmin me raketa në Izrael pas disa javësh tensionesh në Jerusalem mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Sulmet pasuan kundërshtimet për një çështje gjyqësore për të dëbuar disa familje palestineze në Jerusalemin Lindor dhe në shenjë hakmarrjeje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa të qytetit, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.

Izraeli në shenjë hakmarrjeje nisi sulme ajrore dhe artilerie në Gaza.

(REL)