Papa: “Në emër të Zotit ju kërkoj të ndaloni këtë masakër!”

Romë, 13 mars 2022 – Papa Françesku bëri sot komentet më të ashpra të tij deri tani lidhur me sulmin ndaj Ukrainës, duke thënë të dielën se agresioni i armatosur i papranueshëm duhet të ndalet.

Duke folur para mijëra njerëzve në sheshin Shën Pjetër në lutjet e tij të së dielës, Papa Françesku tha gjithashtu se vrasja e fëmijëve dhe civilëve të paarmatosur ishte një akt barbar dhe pa asnjë arsye strategjike.

Ai e quajti qytet martir qytetin e rrethuar të Mariupolit dhe bëri sërish thirrje për hapjen e “korridoreve humanitare vërtet të sigurta” për të lejuar evakuimin e banorëve.

“Në emër të Zotit ju kërkoj: ndaloni këtë masakër!”, tha Papa, duke shtuar se qytetet ukrainase rrezikojnë “të kthehen në varreza”.

Papa nuk e ka përdorur fjalën Rusi në kritikat e tij ndaj luftës që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin më 24 shkurt.

Por zgjedhja e fjalëve të tij, si “agresion i armatosur” dhe “asnjë arsye e vlefshme strategjike”, duket se synon t’i kundërvihet justifikimeve të Moskës mbi sulmin.

Rusia e quan atë që po ndodh në Ukrainë një “operacion special ushtarak”. Të dielën e kaluar Papa Françesku e kundërshoi duke thënë se ai nuk mund të konsiderohet “thjesht një operacion ushtarak”, por një luftë që kishte lëshuar “lumenj gjaku e lotësh”.

Moska thotë se veprimi i saj nuk synon pushtimin e territoreve, por për të goditur forcën ushtarake të Kievit dhe për larguar nga pushteti ata që i quan politikanë naonazistë të Ukrainës. Moska gjithashtu ka mohuar se ka goditur zonat ku jeton popullata civile.

(Zëri i Amerikës)