Papa që lajmëroi pranverën

31 - autori - gjergj-meta1

Gjergj Meta

“Lypset me mësue artin e dialogut dhe të dëgjimit edhe kur kjo kërkon mund. Është çmimi i lirisë, sekreti i një zhvillimi gjergj-metaautentik moral e civil. O Shqipëri, ji në lartësinë e kësaj sprove historike! Rrugëtimi që të pret nuk është i lehtë. Ka plagë ende të pambyllura. E kaluara shërben si mësim, por të mos nxisë drejt hakmarrjes. Tani është koha me shikue me besim drejt së ardhmes”, tha Papa Vojtila 20 vite më parë në Sheshin “Skënderbej”.
Atë kohë, Shqipëria ishte hapur dhe shumë personalitete kishin ardhur në Shqipëri. Por sërish situata dukej pak si surreale, dhe shqiptarët ende nuk e rroknin të plotë idenë e lirisë, të ikjes nga izolimi, të afrimit me Europën.
Ditën që Papa Gjon Pal II zbriti në Rinas, u ul në gjunj dhe puthi dheun tonë, atë ditë të gjithë ne e kuptuam se nuk i përkisnim më në të vërtetë botës së errët ku kishim qëndruar për 50 vite.
Data 25 prill mbart në vetvete një ngjarje që për popullin shqiptar, në mënyrë të veçantë komunitetin katolik, ka shënuar një kulm: udhëtimi i Gjon Palit II në Shqipëri në vitin 1993. Ky shtegtim nuk mbart vetëm ngjyrimet e shtegtimit të një udhëheqësi religjioz, por edhe atë të një udhëheqësi botëror, që me gjestet dhe fjalët e tij në krye të Kishës Katolike kontribuoi në rrëzimin e komunizmit ateist që kishte pllakosur gjysmën e Europës. Ardhja e tij në Shqipëri ishte shenja më e dukshme që më në fund pranvera e një shoqërie të lirë po lulëzonte në tokën shqiptare. Kjo gjë u bë e prekshme me anë të disa gjesteve që ai kreu në dheun tonë.
Së pari si udhëheqës religjioz i shqiptarëve katolikë, ai riorganizoi hierarkinë e Kishës, instrument i domosdoshëm për mirëfunksionimin e bashkësisë katolike. Ai zgjodhi katër priftërinj për t’i shuguruar ipeshkëvinj, Dom Frano Illinë duke e bërë Arqipeshkëv të qendrës së katolicizmit shqiptar, Shkodrës; Atë Robert Ashtën o.f.m. duke e emëruar Ipeshkëv të Pultit, një zone pothuajse krejtësisht katolike në veri të Shqipërisë që përfshinte Malësinë e Madhe dhe Dukagjinin, Dom Zef Simonin duke e emëruar Ndihmës të të ndjerit Frano Ilia dhe Dom Rrok Mirditën që e kishte thirrur nga Metropoli i New York-ut për ta bërë Arqipeshkëv të Dioqezës më të vjetër ndoshta në të gjithë Ballkanin Perëndimor, atë të Durrësit, që para pak vitesh mori emrin Tiranë-Durrës.
Zgjedhja e emrave dhe gjesti i shugurimit të tyre ishte shprehëse, në atë kohë dhe sot, më shumë sesa çdo fjalë tjetër. Tre të parët vinin nga dimri i egër komunist dhe kishin vuajtur nën thundrën e ateizmit militant të komunizmit shqiptar. Vinin nga radhët e një kleri që nuk u nda për asnjë çast nga vuajtjet e popullit të vet, madje mbi shpatullat e tij mori vuajtjen e shumë të tjerëve. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vetëm ata e dinin se çfarë kishte vuajtur ky popull, të gjithë të tjerët vetëm mund ta përfytyronin. Ata kishin në trupat dhe në shpirtrat e tyre ende të gjalla shenjat e një diktature që u kap me ndjenjën më të thellë njerëzore, atë religjioze, që është thirrja për dashuri. Ata, dashurinë e jetuan në trupin e tyre mes zinxhirëve dhe torturave, në kampet e punës dhe në mes të përbuzjes së pushtetarëve. Por, ata qëndruan deri në fund e pas errësirës që mbuloi dheun shqiptar panë dritën e Ngjalljes! E për këtë Gjon Pali II ata i nderoi ndoshta duke qenë edhe i vetëdijshëm se mosha e vuajtjet e tyre nuk do t’i kishin lejuar për shumë kohë të udhëhiqnin dioqezat e tyre, e në fakt ashtu ndodhi…Megjithatë, ata dhe shumë të tjerë janë shenja dhe garancia që Kishës, me gjithë përndjekjet, kurrë nuk do t’u mungojnë dëshmitarët e dashurisë.
I katërti i shuguruar atë ditë është Imzot Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë–Durrësit, që ende vazhdon shërbesën e tij në krye të grigjës që i është besuar. Nuk më takon sigurisht mua në këto momente dhe nuk është as vendi të them se çfarë ka bërë ai në këto vite, pasi jam aq pranë tij sa mund të merrej edhe për captatio benevolentiae. Empatia me popullin të cilit i shërben duhet të jetë një kusht thelbësor për emërimin apo pranimin e një detyre shërbimi, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për të qenë udhëheqës fetar. Dua të ndalem vetëm në një episod që ai vetë e ka treguar disa herë e që më ka bërë të reflektoj mbi këtë empati qysh në moshë të hershme. Dom Rroku, si pa dashjen e tij fitoi ndaj asaj pjese të popullit të tij të përtej kufirit. Në shestimin e Zotit megjithatë asgjë nuk ndodh “si pa dashje”. Në vitin 1967, kur ende ishte meshtar i ri, shkon të ndihmojë një prift me origjinë kroate, Dom Anto, në Shtoj të Malit të Zi. Shtoji është një fshat kufitar i Malit të Zi me Shqipërinë. Vetë Dom Rroku ishte prej Ulqinit. Ndërsa ata, pasi kishin rrëfyer besimtarët në kishëzën e Shën Kollit, po hanin dreke në qelë, ushtari i kufirit, pasi qela ishte përbri rojës kufitare, i thërret pothuajse me urgjencë për të parë diçka që po ndodhte përtej kufirit, d.m.th. në Shqipëri. Në një fshat ishin mbledhur shumë njerëz dhe me një traktor me zinxhirë po tërhiqnin kumbanoren e Kishës për ta rrëzuar. Kumbanorja rezistonte, por edhe urrejtja e dëshira për ta rrëzuar ishte e madhe e më në fund e rrëzuan. Një ngjarje që ai e ka treguar gjithmonë me një përpikmëri të jashtëzakonshme dhe me shumë dhembje, çka tregon se tek ai ka lënë gjurmë. Vetëm pak vite më vonë ai takon dëshmitarët e gjallë të atyre torturave të ikur nga burgu i madh komunist shqiptar në New York, ku atëherë Imzot Zef Oroshi kishte krijuar bashkësinë katolike shqiptare. Familjet shqiptare të arratisura mbartnin bashkë me vuajtjet edhe shpresën e madhe të çlirimit të Shqipërisë nga diktatura. Pikërisht në këtë ambient dom Rroku e rriti edhe më shumë empatinë e tij me pjesën e përtej Bunës të atij populli të cilit edhe ai i përkiste. Sigurisht që kur në 1993 Gjon Pali II e thërret nga New York-u, me gjithë ngurrimet, që janë të gjithkujt që len diçka që njeh për diçka që ende nuk e din se si do të jetë, ai kishte prekur me dorë vuajtjen e një populli të ndrydhur e nisej me misionin për t’i lehtësuar sadopak këto plagë me forcën e Ungjillit, duke u munduar për rritjen e një Shqipërie me Zotin.
Sot mbushen 20 vjet nga ajo ditë kur Gjon Pali II erdhi në Shqipëri e kur ipeshkëvinjtë e parë shqiptarë pas komunizmit nisën misionin e tyre. Çfarë misioni iu ngarkua atyre? “Juve, o barinj të rinj të kësaj grigje të Krishtit, – tha atëherë Papa polak – ju besohet sot shërbesa e ruajtjes në besnikëri, e mësimit në të vërtetë dhe e udhëheqjes në shenjtëri e në bashkimin e plotë në Shpirtin ngushëllues, në mënyrë që të shprehë pasurinë e karizmave të saj e të sjellë fryte të bollshme solidariteti e paqeje”. Mund të themi se që nga ajo ditë fryte të tilla nuk kanë munguar, sikurse ende ky rrugëtim i Kishës, për vetë natyrën e tij është i papërmbushur, por që ndjen thellë nevojën e një ripërtëritjeje e rikonformimi më të madh me Ungjillin dhe Koncilin II Vatikan.
Kjo ishte dita që Zoti përgatiti për ne katolikët, por edhe për të gjithë shqiptarët, pasi vizita e një personaliteti si Gjon Pali II i dha hov e shpresë shoqërisë dhe demokracisë së brishtë shqiptare që ende po orvatet në dhimbje e hutim për të gjetur rrugën e duhur. E këtu është pika e dytë që ia vlen të reflektohet. Po e vazhdoj citimin e fillimit të këtij shkrimi: “Tani është koha me shikue me besim drejt së ardhmes” Shumë e madhe sigurisht është detyra që të pret e të cilën e ke nisur me një përkujdesje të lavdërueshme. Bashkë me përpjekjen për një rindërtim ekonomik, absolutisht i nevojshëm që të gjithëve t’u garantohet puna dhe thelbësorja për të jetuar me dinjitet, është edhe shqetësimi i fuqizimit të demokracisë tënde të re…dhe një demokraci pa vlera,…lehtësisht kthehet në totalitarizëm…”. Sot, 20 vjet pas asaj vizite, këto fjalë na kthehen të vlefshme, sidomos sa i përket demokracisë së vuajtur shqiptare.
Megjithatë, sot është dita për të kremtuar e për të kujtuar vizitën e Gjon Pali II dhe për t’i uruar Ipeshkëvit të Tiranë-Durrësit 20-vjetorin e shugurimit të tij.

Comment

*