Papa udhëzon prindërit që të mos i ndëshkojnë fëmijët e tyre homoseksualë

Romë, 26 janar 2022 – Papa Françesku u bëri thirrje prindërve të mërkurën (26 janar) që të mos i ndëshkojnë fëmijët e tyre nëse janë homoseksualë, në gjestin e tij të fundit lidhur me komunitetin LGBTQ, i cili prej kohësh është margjinalizuar nga hierarkia katolike.

Papa Françesku foli hapur për këtë temë në adresimin e tij të përgjithshëm, kushtuar figurës së Shën Jozefit, babait të Jezusit.

“Prindërit që shohin se fëmijët e tyre kanë orientime të ndryshme seksuale, si e menaxhojnë atë dhe i shoqërojnë fëmijët e tyre dhe nuk fshihen pas një qëndrimi ndëshkues”, tha Papa, citon REL.

“Asnjëherë mos e ndëshkoni një fëmijë”, shtoi ai.

Papa tha se po mendonte veçanërisht për prindërit që përballen me situata “të trishtuara” në jetën e fëmijëve të tyre.

Qëndrimi zyrtar i kishës katolike bën thirrje që burrat dhe gratë homoseksuale të respektohen dhe të duhen, ndonëse fenomenin e homoseksualitetit e konsideron “çrregullim” të madh.

Papa Françesku ka kërkuar ta bëjë kishën më mikpritëse për homoseksualët edhe me komentin e tij të famshën të vitit 2013, kur ka shtruar pyetjen:  “Kush jam unë për të gjykuar?”

Ai i ka folur edhe për shërbimin e tij ndaj homoseksualëve dhe transgjinorëve, duke i cilësuar ata si fëmijë të Zotit, të dashur nga Zoti që e meritojnë shoqërimin nga kisha.

Megjithatë, Papa Françesku është kundër martesave të personave të së njëjtës gjini. Në vitin 2021 ai lejoi që Vatikani të publikonte një dokument që thoshte se Kisha Katolike “nuk mund të bekojë mëkatin”. 

(r.m.)

Comment

*