Parajsë për kriminelët apo alarm për Uashingtonin, Brukselin dhe Vjenën?!

I revoltuar shumë nga padrejtësitë dhe tragjeditë që një pas një po ndodhin në vendit tonë vendosa ta shkruaj këndvështrimin tim, gjegjësisht t’ju ndezi “reflektorët” atyre që na kanë fut në terr.

Fillimisht, shfrytëzoj rastin të shpreh ngushëllimet e mia familjarëve dhe gjithë qytetarëve që humbën të dashurit e tyre në këto raste tragjedie.

Në bazë të ndodhive të fundit në RMV po edhe më gjerë në Ballkan e me qëllim të ruajtjes së sigurisë së qytetarëve të RMV-së, përkatësisht qytetarëve të një shteti anëtar i plotfuqishëm i NATO-s, shteti që ka partneritet strategjik me SHBA-të dhe shtetit që duhet të udhëheqë me OSBE-në në 2023 dua të nënvizoj se në kohën e fundit kanë ndodhur shumë ngjarje që zbehin sigurinë kombëtare të RMV-së, po edhe organizatave tjera ndërkombëtare ku ne paraqesim një nga hallkat e zinxhirit.

Tragjedia e fundit në Bullgari në autostradën “Struma” ku vdiqën 46 persona dhe 7 mbetën të lënduar është një nga më të rëndat. Është tragjedi që përveç humbjes dhe dhimbjes së madhe që u shkaktoi familjarëve dhe qytetarëve hapi edhe shumë dilema që po mbjellin frikën.

Kjo tragjedi ndodhi ende pa u zbehur fotografitë e tmerrshme nga djegia e Spitalit modular në Tetovë ku humbën jetën 14 pacientë të cilët, kishin shkuar në vendin më shpresë dhënës për të sëmurit dhe të dashurve të tyre. Rast për të cilin nuk ka epilog juridik!

Në shkurt të vitit 2019 ndodhi një tragjedi e ngjashme kur afër fshatit Llaskarcë të Shkupit një autobus doli nga rruga dhe humbën jetën 16 persona. Gjithashtu pa përfundim juridik!

Në prill 2021 MPB kishte njoftuar për zbulimin e 215 pasaportave false, ndërsa paraprakisht, në një aksion policor ishin arrestuar 11 zyrtarë policorë, të përfshirë në këtë krim. Me pasaporta false ishin pajisur edhe disa persona me dosje kriminale apo drejtues të karteleve të drogës, në mesin e tyre edhe shtetas të huaj, e në shtatorë ky skandal rëndohet edhe më shumë kur u hap dyshimi se ka të falsifikuara edhe pasaporta diplomatike dhe njerëz të dyshuar nga Interpoli që përfaqësojnë Republikën e Maqedonisë së veriut në OSBE njëherë shtet kandidat që po pret fillimin e negociatave me BE-në.

Kishim edhe shumë raste tjera si: djegia e Postës, djegia e Arkivit të Ministrisë së Mjedisit, djegia e Arkivit të Ministrisë së Drejtësisë dhe djegia e disa institucioneve tjera! Edhe çka duhet të ndodhë që të fillojmë të mendojmë me mendje të kthjellët.

Prandaj si nohës i rrethanave në  mbrojtje dhe siguri dua që me këtë shkrim së paku të ndez disa xixa sado të vogla për ndriçimin e këtyre rasteve. Ftoj organet kompetente në bashkëpunim me forcat progresive në vend dhe më gjerë gjegjësisht, ekspertë të ndryshëm po edhe forca politike që njëherë e përgjithmonë t’i lënë anash inatet, interesat personale, klanore apo partiake dhe t’i ngjeshin radhët që e gjithë kjo katrahurë dhe kolaps të zhduket dhe në vend të tyre të ngritët një sistem ashtu siç i ka hije një shteti që i donë qytetarët e vet të jenë të lumtur.

Të bëhemi shtet ku të rinjtë do të duan të kthehen në të, të jetojnë me të dashurit e tyre, të kontribuojnë fuqishëm për zhvillimin e tij sepse viktimat e tragjedive janë dhimbje, lemerisje, trishtim dhe humbje të mëdha.

Nuk është turp të mos dish, po turp është mos të pyesësh e të mos konsultosh miqtë dhe dashamirët me të cilët je në aleancë apo partneritet, për të mësuar leksione për zhvillimin e drejtë dhe progresiv të shoqërisë.

Turp është të lejosh gabimet të përsëriten e qytetarët të vuajnë e të pësojnë. Mos harroni se jeta e qytetarit, mirëqenia dhe lumturia duhet të jenë të garantuara nga shteti e jo partia.

Do t’ju jap një shembull se si reagohet në vendet ku jepet përgjegjësi: Sipas disa mediave, Kryetarja e Parlamentit norvegjez, Eva Kristin Hansen dha dorëheqje nga ky post para disa ditëve, vetëm pse ishte zbuluar se parlamenti po paguante për apartamentin e saj.

Muhaedin Bela