Parashkrimi i lëndëve pengesë në luftimin e korrupsionit në Kosovë

Prishtinë, 13 dhjetor 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, e ka publikuar raportin hulumtues “Korrupsioni në prag të parashkrimit”.

Sipas këtij raporti, IKD i ka identifikuar rastet ndaj 11 personave të akuzuar për korrupsion që rrezikojnë të parashkruhen në fillim të vitit 2022.

“Shtatë prej tyre janë persona të profilit të lartë dhe rastet e tyre do të parashkruhen deri më 20 janar 2022”, thuhet në raport.

Sipas raportit, IKD i ka identifikuar edhe rastet e 12 personave të tjerë, 6 nga të cilët janë të profilit të lartë, të cilat mund të parashkruhen në vitin 2023, nëse nuk marrin një aktgjykim përfundimtar.

Gjatë publikimt të raportit, u tha se gjatë periudhës 2015-2019, gjykatat themelore i kanë zgjidhur gjithsej 1 069 raste të personave të akuzuar për korrupsion, ndërsa janë parashkruar aktakuzat ndaj 50 personave.

Leotrim Gashi, hulumtues i lartë në KDI, duke prezantuar raportin me të gjeturat e hulumtimit, tha se parashkrimi i lëndëve po i zvarrit provcesin e aktgjykimit përfundimtar.

“Parashkrimi apo vjetërsimi paraqet situatën kur për shkak të afatit që ka kaluar nga koha e kryerjes së veprës penale, shteti apo institucionet e sistemit të drejtësisë e humbin të drejtën për të hetuar apo gjykuar një person të caktuar për një vepër të supozuar penale”, tha ai.

“Krahas rasteve të cilat rrezikojnë të parashkruhen gjatë vitit 2022, IKD e ka analizuar arritjen e afatit të parashkrimit edhe në rastet tjera gjyqësore të korrupsionit. 12 persona të akuzuar për korrupsion, do t’u parashkruhet në vitin 2023, ku bëjnë pjesë gjashtë persona të profilit të lartë, raste të cilat mund të mbyllen pa një aktgjykim përfundimtar”, tha Gashi.

Gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, tha se prioritet i gjyqësorit është luftimi i korrupsionit dhe kjo nuk ka mbetur vetëm si retorikë, por është shoqëruar me veprime konkrete.

“Nga perspektiva e gjyqësorit, pa dyshim, si etikë është rritja e besimit të publikut dhe një pyetje që parashtrohet shpesh është se sa ky besim apo mosbesimit është me fajin e gjyqësorit apo është i ndërlidhur me faktorë tjerë”,  tha Maliqi.

“Shpesh herë ndodh që gjyqësorit, me apo pa të drejtë, i faturohet përgjegjësia. Prioritet i gjyqësorit është luftimi i korrupsionit dhe kjo nuk ka mbetur vetën si retorikë, por që është shndërruar në veprime të KGjK-së, të cilat mund të vërehen se kemi një dinamikë më të lartë të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënia është epiqendër e KGjK-së”, tha Maliqi.

“… Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka miratuar rregulloren e re të vlerësimit të gjyqtarëve dhe së bashku udhëzuesin specifik dhe pastaj format e vlerësimit, ku janë përfshirë kritere të qarta për performancës së gjyqtarëve, ku është hapur një derë që përmes performancës të bëhet edhe vlerësimi i tyre”, tha ai.

U.d i kryetarit të Gjykatës së Apelit, Afrim Shala, ka përmendur disa arsye që kanë bërë të parashkruhen rastet gjyqësore në Kosovë.

“Një çështje që ka të bëjë me parashtrime të lëndëve, është numër i madh i lëndëve me të cilat kanë qenë të ngarkuar gjyqtarët, pastaj mosplotësimi i vendeve me anëtarë dhe me staf profesional, dhe mendoj që kjo ka ndikuar që të arrijnë afatin e parashkrimit, moskordinimi i duhur ndërmjet institucioneve, dhe në këtë drejtim mendoj që një koordinim i mirë ndërmjet Gjykatave dhe institucioneve tjera do ta parandalonte parashkrimin”, tha ai.

“Mandej një arsye tjetër është edhe arratisja e të pandehurve, për shkak se edhe vet si gjyqtar i shkallës së parë kam pasur raste kur ka qenë i pamundur që të përfundojnë procedurat për shkak të arratisjes së të pandehurve edhe jashtë Kosovës”, tha Shala.

(Sipas Ekonomia Online)