Paratë e grekut

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Protesta e fundit përpara konsullatës greke në Gjirokastër ishte në greqisht dhe jo në shqip. Protestues ishin të moshuar minoritarë nga Jugu i Shqipërisë, por edhe udhëheqës të organizatës “Omonia” e qytetarë të tjera.
Protestohej kundër vendimit të qeverisë greke që të mos paguajë më pensione për grekët etnikë në Shqipëri.
Nuk dihet se sa do të mbajë vendimi po ai është shumë llogjik dhe madje i vonuar. Greqia me financa të rreckosura ka shkurtuar fondet e spitaleve dhe shkollave, ka nxjerrë pa punë dhjetëra mijëra punonjës të administratave shtetërore dhe lokale shumë prej të cilëve në sektorë jetikë për vendin.
Në këtë kuadër, vazhdimi i sponsorizimit të ëndrrave të kota shoviniste mbi jugun e Shqipërisë është një papërgjegjësi e madhe ndaj vetë grekëve që jetojnë në Greqi.
Thotë një shprehje se “nderi nuk blihet me para”, po në Ballkan, deklarimi i etnisë dhe kombësisë ka dalë prej kohësh në pazar.
Greqia ka pretenduar për kaq shumë kohë se në Shqipëri jetojnë 300 apo 400 mijë grekë sa në fund brezat e ministrave grekë të qeverive të kohëve të fundit i kanë marrë këto shifra të mirëqena dhe nuk u besohej kush shikonin se jo vetëm që nuk ishin reale, por edhe ato pak fshatra greke ekzistuese në Jugun e Shqipërisë po zbrazeshin me shpejtësi.
Kush ishte grek e fliste greqisht nuk mbeti mbrapa gjysëm milion shqiptarëve që u vendosën në shtetin fqinj.
Llogaria e grekëve në Shqipëri ishte po aq serioze sa edhe llogaritë financiare të shtetit grek të paraqitura në Bruksel dhe te institucionet bankare ndërkombëtare. Në fund, kur të plas në duar e vërteta, sulmohet më keq ai që guxon të thotë të vërtetën.
Tani qeverinë greke e akuzojnë rëndë për mungesë patriotizmi, se nuk do të paguajë më pensione për nënshtetasit shqiptarë, të cilët nga ana tjetër mjelin edhe pensionet e shtetit shqiptar. Ndërsa grekët në Greqi nuk e dinë se kur do të dalin në pension e nëse do të ketë pensione për ta, Athina duhet të mbajë me kimet banorë të Shqipërisë me nga dy palë pensione.
Dyshimi më i madh është se jo të gjithë ata që po marrin pensione nga Greqia në Shqipëri apo ndihmë sociale si ardhacakë të rinj në Greqi, janë me etni greke. Kur u hap loja e ndihmës me para për “vorioepirotët”, jo vetëm greqishtfolësit, por edhe shumë shqiptarë që mund të nxirrnin dokumenta si banorë të jugut të Shqipërisë, apo që dinin pak greqisht u regjistruan për të përfituar.
Nga pikëpamja e Shqipërisë, kjo ishte “tradhëti kombëtare” e këtyre pseudogrekëve, ndërsa për këta të fundit ishte një zgjidhje praktike në jetën e vështirë të emigrantit në Greqi. Shqiptarët e Shqipërisë pas rënies së komunizmit nuk dalloheshin shumë për patriotizëm. Në fund të fundit, ata nuk i kishte shtypur serbi e greku, po komunistët shqiptarë. Po të pyesësh ata që përfituan me hile nga shteti grek do të të thonë se tradhëtar është shteti shqiptar që i shtypi në komunizëm e tani i dëboi në emigracion, duke mos u ofruar kushte normale jetese në vend.
Dashuria për atdheun është pa kushte siç duket vetëm në filma, libra, artikuj gazetash dhe në deklarata publike. Privatisht njerëzit bëjnë llogari.
Po nuk mjafton të jesh pragmatist e antipatriot grek që të përkrahësh vendimin për ndërprerjen e ndihmave. Përgjegjësia e parë e qeverisë është ndaj nënshtetasve të vet. Shumë të moshuar në Jug të Shqipërisë janë të varfër në letër, mirëpo fshatrat e tyre janë të pasur, fëmijët dhe të afërmit e tyre në Greqi janë kujdesur për ta. Nuk bëhet fjalë për mjerimin e Afrikës së Zezë.
Çfarë ka fituar Greqia në shkëmbim? Praktikisht asgjë. Mundësia për të fituar diçka nuk i ka shtuar në mënyrë fatale numrat e grekëve në Shqipëri. Shpresa në Athinë dhe frika në Tiranë kanë mbetur të dyja të pajustifikuara. Në lindje të Shqipërisë, një grup greko-bullgarësh u kthyen të tërë në “maqedonas” kur Shkupi ofroi një fond për ndihmë financiare të ngjashme. Ndryshe nga “grekët”, “maqedonasit” shqiptarë nuk duan të emigrojnë në Maqedoni. Investimi te ata është më përfitues. Kaq i nervozuar ishte një diplomat grek me “vllehët” e “ortodoksit e tjerë” që nuk deklarohen si “grekë” saqë përfundoi me statusin “non-grata” me deklaratat e tij të tepruara përpara censusit shqiptar.
Me një aritmetikë të thjeshtë, 300 euro pension (një shumë që ka bërë të mendohen shumë pensionistë shqiptarë) për 100,000 vetë sa i duhen Greqisë për të pasur qoftë edhe një pikë argumenti për më shumë prani në Jugun shqiptar do të thotë 30 milionë euro në muaj. Është një ëndërr e pakapshme edhe për grekët më nacionalistë. Ata mund t’i lejojnë vetes luksin çmendurak të blerjes së avionëve luftarakë në kohë krize të tmerrshme financiare, por pensionet e asistencat sociale “vorioepirotase” janë një bishë e pangopur që duhet ushqyer çdo muaj, bisha e nacionalizmit të paarsyeshëm, që nuk zbutet kurrë, nuk të shërben as për roje, as për qumësht e lëkurë, nuk mund ta përkëdhelësh e nuk mund ta ngarkosh. Rri aty me sy të ndezur në pritje të ushqimit tjetër deri sa të mos të ketë mbetur asgjë, deri sa të mbetesh vetë ushqimi i radhës për kënaqjen e grykësisë së pangopshme. Është një ëndërr e keqe nga e cila grekët mbase po zgjohen, e prej të cilës duhet të ruhemi të gjithë.