Parlamenti i Bullgarisë hap rrugë për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Sofje, 24 qershor 2022 – Parlamenti i Bullgarisë i dha të premten dritën jeshile qeverisë së vendit që të miratojë kuadrin negociues për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Një ditë pasi BE ua dha Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate për anëtarësim,

Vendimi i parlamentit bullgar shënon një hap tjetër drejt zgjerimit të BE-së, pas vetos që Sofja kishte vënë në vitin 2020, për shkak të mosmarrëveshjeve me Shkupin rreth historisë dhe gjuhës.

Ligjvënësit votuan për të lejuar qeverinë të heqë veton e saj pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit te negociatave që do të garantojë të drejtat e bullgarëve në vend nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe do të nxiste përkushtimin e Shkupit për të ruajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë.

Sipas ligjvënësve kuadri gjithashtu nuk duhet të ketë ndonjë referencë që mund të sugjerojë se Bullgaria njeh gjuhën maqedonase.

Kompromisi u propozua nga Franca, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

“Kjo është oferta më e mirë që Bullgaria ka marrë deri më tani. Ajo ofron garanci evropiane se interesat bullgare do të mbrohen”, tha Elisaveta Belobradova, një ligjvënëse partisë Bullgaria Demokratike.

Qëndrimi i BE-së ndaj zgjerimit në lindje ka ndryshuar që nga agresioni rus në Ukrainë, pas vitesh refuzimi për zgjerim me anëtarë të rinj.

Aleatët e Bullgarisë në BE dhe NATO kanë bërë trysni për një zgjidhje që do të përforcojë ardhmërinë evropiane të Shkupit dhe do të kufizojë ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cilëosi të enjten propozimet franceze “të papranueshme”.

“Nëse arrihet një mirëkuptim për qëndrimet tona gjatë presidencës franceze, jemi të gatshëm të angazhohemi në bisedime”, shkroi ai.

Hezitimi i BE-së për zgjerimin ka ngadalësuar përparimin drejt anëtarësimit për një grup vendesh të Ballkanit – Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbis, duke nxitur zhgënjim mes tyre në lidhje me shpresat për t’u bashkuar me bllokun.

Qeveria e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, u rrëzua të mërkurën, pasi koalicioni i tij i brishtë humbi shumicën edhe për shkak të akuzave se ai po shpërfillte interesat kombëtare duke nxitur heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

(Zëri i Amerikës)